Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, do të udhëtojë të premten drejt Atlantës, në Xhorxhia, për të organizuar një takim dyditor të ministrave të jashtëm të G20-s, ku diplomatët e ekonomive më të mëdha të botës do t'i diskutojnë sfidat e përbashkëta ekonomike dhe të sigurisë.
Departamenti i Shtetit njoftoi se takimi është pjesë e përpjekjeve të administratës së presidentit Donald Trump për ta përqendruar sërish G20-n te rritja ekonomike, siguria ekonomike dhe politikat që synojnë të sjellin rezultate për amerikanët.
Më tej, theksohet e Rubio do t'i mbledhë diplomatët kryesor për ta avancuar bashkëpunimin praktik mbi çështjet që ndikojnë në ekonominë globale.
“Si një qendër globale e diplomacisë, ndërlidhjes dhe tregtisë, Atlanta ofron sfondin e përsosur për këto diskutime”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, ShBA-ja planifikon ta shfrytëzojë takimin për t'i trajtuar krizat gjeopolitike që kontribuojnë në paqëndrueshmërinë ekonomike, përfshirë kërcënimet ndaj lirisë së lundrimit, sigurisë energjetike dhe ushqimore, si dhe zinxhirëve globalë të furnizimit.
Bisedimet pritet gjithashtu të ndihmojnë në përcaktimin e prioriteteve përpara samitit të liderëve të G20-s në muajin dhjetor, ku krerët e qeverive do të takohen në Majami të Floridës për të trajtuar çështje më të gjera ekonomike.























