| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
BeH-ja do t’i reduktojë komunikimet me Serbinë pas glorifikimit të Mlladiqit
Bosnjë e Hercegovina (BeH) ka njoftuar se do të tërheq personelin e ambasadës në Beograd dhe do të pezullojë takimet dypalëshe me Serbinë, në përgjigje të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq.
BeH-ja do t’i reduktojë komunikimet me Serbinë pas glorifikimit të Mlladiqit
BeH-ja do t’i reduktojë komunikimet me Serbinë pas glorifikimit të Mlladiqit

Kryediplomati Konakoviq tha se do të tërhiqet i gjithë personeli i ambasadës në Beograd, ndërsa shërbimet konsullore do t’u transferohen ambasadave të vendit në Zagreb dhe Podgoricë, si dhe Konsullatës së Përgjithshme në Novi Pazar

Bosnjë e Hercegovina (BeH) ka njoftuar se do të tërheq personelin e ambasadës në Beograd dhe do të pezullojë takimet dypalëshe me Serbinë, në përgjigje të glorifikimit të kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq.

Ministri i Punëve të Jashtme i BeH-së, Elmedin Konakoviq, i njoftoi masat në një konferencë për media.

Ai tha se do të tërhiqet i gjithë personeli i Ambasadës së BeH-së në Beograd, për të cilin ministria ka kompetencë të urdhërojë tërheqjen, ndërsa shërbimet konsullore do t’u transferohen ambasadave të vendit në Zagreb të Kroacisë dhe Podgoricë të Malit të Zi, si dhe Konsullatës së Përgjithshme në Novi Pazar të Serbisë.

Konakoviq njoftoi gjithashtu pezullimin e takimeve dypalëshe, duke theksuar se komunikimi me Serbinë do të reduktohet në “nivelin më të ulët të mundshëm”.

Ai deklaroi se BeH-ja do të intensifikojë angazhimin diplomatik me BE-në dhe shtetet e saj anëtare, si dhe me ShBA-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik.

Mlladiq, i njohur si “Kasapi i Bosnjës”, u shpall fajtor nga një tribunal i OKB-së për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës të vitit 1995. Ai vdiq më 27 gusht ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm në Hagë.

Sot, ai u varros në varrezat Topçider në Beograd, ku ceremonia fetare u drejtua nga patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS), Porfirije, me pjesëmarrjen e disa peshkopëve të KOS-it, pas së cilës kortezhi u nis drejt varrezave Topçider, ku Mlladiq u varros pas fjalimeve dhe me të shtëna nderi.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë