Liderët evropianë mirëpresin njoftimin e ShBA-së për marrëveshjen e ardhshme mbi Grenlandën

Liderët evropianë mirëpritën të mërkurën njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme mbi Grenlandën dhe vendimin e tij për të pezulluar tarifat e planifikuara ndaj disa vendeve evropiane.

By
Liderët evropianë mirëpresin njoftimin e ShBA-së për marrëveshjen e ardhshme mbi Grenlandën / Reuters

Liderët evropianë mirëpritën të mërkurën njoftimin e presidentit amerikan Donald Trump për kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme mbi Grenlandën dhe vendimin e tij për të pezulluar tarifat e planifikuara ndaj disa vendeve evropiane.

“Dita po përfundon më mirë sesa nisi. Ne e mirëpresim faktin që POTUS (Trump) ka përjashtuar përdorimin e forcës për marrjen e Grenlandës dhe ka pezulluar luftën tregtare. Tani, le të ulemi dhe të gjejmë se si mund t’i adresojmë shqetësimet amerikane të sigurisë në Arktik, duke respektuar vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës,” shkroi ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, në platformën X.

Kryeministri holandez Dick Schoof tha se është “pozitive” që palët janë “në rrugën e çtensionimit” dhe se tarifat janë hequr nga tryeza, duke ritheksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes SHBA-së, Kanadasë dhe Evropës brenda NATO-s “për të forcuar sigurinë në rajonin e Arktikut dhe për të kundërshtuar kërcënimet nga Rusia dhe Kina”.

“Mirë që Trump tani është tërhequr edhe nga tarifat ndaj nesh që kemi mbështetur Danimarkën dhe Grenlandën. Kërkesat për ndryshime kufijsh kanë marrë kritikat e ashpra që meritonin. Kjo është edhe arsyeja pse kemi deklaruar vazhdimisht se nuk do të lejojmë të shantazhohemi. Duket se puna jonë e përbashkët me aleatët ka dhënë efekt”, shkroi ministrja e Jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard në X.

Edhe ministrja suedeze e Financave, Elisabeth Svantesson, e mirëpriti njoftimin, duke theksuar se presioni evropian ka qenë “i vlefshëm”.

“Qeveria ka theksuar vazhdimisht se shantazhi rreth Grenlandës ka qenë absurd. Por kjo nënvizon gjithashtu atë që kam thënë disa herë: po jetojmë në një botë të re dhe të pasigurt, por gjithashtu kemi fatin tonë në duart tona. Do të vazhdoj punën për ta ‘imunizuar’ ekonominë tonë ndaj Trumpit”, u shpreh Svantesson.

“Nuk mund të rrimë duarkryq”, shtoi ajo.

Zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil i tha transmetuesit ZDF se presioni brenda SHBA-së dhe nga Evropa çoi në tërheqjen e Trumpit nga tarifat ndëshkuese që ai kishte paralajmëruar më herët ndaj disa vendeve evropiane.

“Kishte kritika në rritje në Shtetet e Bashkuara dhe kritika në rritje nga Evropa, por edhe ndërkombëtarisht, dhe mendoj se kjo ndryshoi diçka edhe për Donald Trumpin”, tha ai.

Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni e mirëpriti njoftimin në X, duke theksuar se “është thelbësore të vazhdohet nxitja e dialogut mes vendeve aleate”.

Trump tha të mërkurën në platformën e tij Truth Social se një kornizë për një marrëveshje që përfshin Grenlandën dhe rajonin më të gjerë të Arktikut është arritur pas takimit të tij me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Davos të Zvicrës.

“Në bazë të këtij mirëkuptimi, nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt”, shtoi ai.

Javën e kaluar, Trump kishte thënë se Uashingtoni do të vendoste tarifa prej 10 për qind mbi mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda duke nisur nga 1 shkurti, me rritje në 25 për qind në qershor, nëse nuk arrihej një marrëveshje për “blerjen e plotë dhe totale të Grenlandës”.

Grenlanda ka tërhequr vëmendjen e Trumpit për shkak të pozicionit të saj strategjik në Arktik, burimeve të mëdha minerare dhe shqetësimeve të pretenduara për rritjen e pranisë ruse dhe kineze.

Si Danimarka ashtu edhe Grenlanda kanë hedhur poshtë propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.