Bislimi njofton Sorensenin se Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës për Luginën e Preshevës

Besnik Bislimi ka njoftuar përfaqësuesin e BE-së, Peter Sorensen, se Serbia po bllokon fondet e Kosovës të destinuara për Luginën e Preshevës.

By
Bislimi njofton Sorensenin se Serbia po i bllokon mjetet e Kosovës për Luginën e Preshevës / AA

Bislimi nëpërmjet rrjeteve sociale ka thënë se Serbia tre herë radhazi ka bllokuar të hollat e dërguara nga Kosova dhe i ka refuzuar ato pa asnjë bazë ligjore.

"3.650 fëmijë shqiptarë në Luginë janë duke përdorur 35.448 tekste shkollore të financuara nga Qeveria e Kosovës, pas kërkesës zyrtare të Këshillit Kombëtar Shqiptar. Qeveria jonë ka zbatuar plotësisht dhe në kohë të gjitha detyrimet e saj ligjore dhe institucionale. Megjithatë, pagesa përkatëse prej 304.511.16 euro, e destinuar për furnizimin me tekste shkollore, përkrahjen e aktiviteteve ndërkombëtare të avokimit dhe funksionimin institucional të KKSh-së, është bllokuar tre herë radhazi nga banka pranuese në Serbi", shkroi Bislimi.

Ai tha se në të tri rastet transferi i Kosovës për në Luginën e Preshevës është refuzuar dhe se "mjetet po refuzohen pa dhënë asnjë arsye ligjore, teknike apo rregullatore".

Bislimi thekson se e njëjta qasje është vërejtur edhe në anulimin e vendimit të Këshillit Kombëtar Shqiptar për programin e subvencioneve bujqësore për fermerët shqiptarë "pavarësisht se të gjitha procedurat ligjore dhe verifikimet ishin përfunduar plotësisht".

Sipas tij, institucionet e Kosovës i kanë vënë në dispozicion BE-së të gjitha provat dokumentare: komunikimet SWIFT, kthimet e bankave dhe dokumentacionin e vendimeve qeveritare. BE-ja së fundmi është shprehur se është në pritje të krijimit të kushteve të përshtatshme për ta ftuar një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit janë takuar në Bruksel në shtator të vitit 2023.