Presidentja Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për anëtarët e KQZ-së

Sipas saj, Vetëvendosja ka kërkuar tre anëtarë e janë emëruar vetëm dy, dhe PDK-ja ka kërkuar dy anëtarë dhe është emëruar vetëm një

By
Presidentja Osmani i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për anëtarët e KQZ-së / Reuters

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar sot për arsyet që kërkoi sqarim nga Gjykata Kushtetuese lidhur me emërimin e anëtarëve nga partitë politike në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Osmani ka thënë se arsyeja se përse ka kërkuar sqarim nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje është se partitë kanë kërkuar emërimin e më shumë anëtarëve se sa lejon Kushtetuta në KQZ.

Sipas saj, Vetëvendosja ka kërkuar tre anëtarë e janë emëruar vetëm dy, dhe PDK-ja ka kërkuar dy anëtarë dhe është emëruar vetëm një.

"Për shkak se janë kërkuar tre nga Vetëvendosja, janë emëruar vetëm dy. Janë kërkuar dy nga PDK-ja, është emëruar një, për shkak se ka më shumë propozime sesa që i lejon Kushtetuta. Dhe meqenëse kjo çështje deri tani nuk është sqaruar nga Gjykata Kushtetuese, kam kërkuar që ta sqarojë atë. Mirëpo ky rast është mbi një është ngritur mbi një bazë tjetër ligjore, jo mbi të njëjtën që është ngritur në rastet e mëparshme, qoftë nga ish-presidenti Thaçi, qoftë nga ana ime", tha Osmani duke shtuar se:

"Kjo çështje ka qenë e paqartë përgjatë viteve për secilin president në fakt. Dhe shpresoj që më në fund gjykatat ta sqarojnë. Momentin që sqarohet, vijohet me emërimet".

Sipas saj, Kushtetuesja ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë dhe se janë në pritje të përgjigjes.

"Nuk është që vetëm një anëtar i PDK-së nuk është emëruar; edhe një i VV-së nuk është emëruar, në qoftë se i shohim propozimet e tyre. Dhe meqenëse aty është veç një vend, nuk i zë dy, duhet me pyet gjykatën se si të veprohet", tha Osmani.

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë, ku sipas Kushtetutës, gjashtë anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, të cilët nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në ndarjen e vendeve të rezervuara.

Nëse në Kuvend janë të përfaqësuara më pak grupe, grupi apo grupet më të mëdha mund të emërojnë anëtarë shtesë. Një anëtar emërohet nga deputetët e Kuvendit të cilët mbajnë vende të rezervuara apo të garantuara për komunitetin serb të Kosovës dhe tre anëtarë nga deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vende të rezervuara apo të garantuara për komunitetet e tjera që nuk janë shumicë në Kosovë.

LVV-ja ka propozuar tre kandidatë për përfaqësim në KQZ. PDK-ja ka propozuar dy kandidatë ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë propozuar nga një kandidat.