Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe (IFRC) ngriti një apel emergjent prej 29 milionë frangash zvicerane (më shumë se 36 milionë dollarë), teksa Ebola po përhapet në lindje të Republikës Demokratike të Kongos dhe shqetësimet rajonale po rriten.
Në një deklaratë, federata tha se po zgjeron përpjekjet e reagimit në Kongo, Ugandë dhe vendet fqinje pas shpërthimit të variantit Bundibugyo të Ebolës.
Shoqata e Kryqit të Kuq të RD të Kongos, e mbështetur nga IFRC-ja, ka angazhuar 200 vullnetarë në zonat shëndetësore Bunia dhe Rwampara për të mbështetur ndërgjegjësimin në komunitet dhe aktivitetet e shëndetit publik në vijën e parë.
Sipas deklaratës, vullnetarët po zhvillojnë fushata ndërgjegjësuese derë më derë për të luftuar dezinformimin dhe për të inkurajuar kërkimin e hershëm të ndihmës mjekësore kur shfaqen simptomat.
Familjet gjithashtu po paralajmërohen të mos prekin apo lajnë trupat e personave të dyshuar si viktima të Ebolës, një nga rrugët kryesore të transmetimit gjatë epidemive. Vetëm në ditën e parë të aktiviteteve, vullnetarët arritën të kontaktojnë 645 familje, thuhet në deklaratë.
“Varianti Bundibugyo është veçanërisht shqetësues, pasi ka prova të kufizuara mbi efektivitetin e trajtimeve dhe vaksinave të zhvilluara për variantin Zaire”, tha Ariel Kestens, shefe e delegacionit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kinshasa.
Shpërthimi po përhapet në zona të prekura nga pasiguria, sistemet e brishta shëndetësore dhe lëvizja e madhe ndërkufitare, duke e komplikuar përpjekjen për frenimin e tij.
Uganda tashmë ka konfirmuar raste të Ebolës Bundibugyo të lidhura me shpërthimin, ndërsa Burundi, Ruanda dhe Sudani i Jugut po rrisin masat e gatishmërisë në zonat kufitare.
Federata tha se nevojiten fonde urgjente për ta forcuar mbikëqyrjen, për të angazhuar ekipe varrimi dhe për të zgjeruar operacionet e reagimit në terren.


















