Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria duhet të hyjë në elitën e turizmit global, në reagimin e tij pas protestave, debateve dhe reagimeve të fundit lidhur me projektin turistik në zonën e Zvërnecit, në Qarkun e Vlorës.
Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se projekti në Zvërnec po ndjek të gjitha procedurat ligjore dhe mjedisore, duke theksuar se deri më tani nuk ka pasur një projekt përfundimtar apo një studim të plotë të ndikimit në mjedis.
“Projekti (në Zvërnec) ka nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023, pra tre vjet më parë, dhe ka nisur si një interesim bashkë me Sazanin. Qëndrimi ynë qysh në ditën e parë ka qenë: Sazani është tokë publike, ka qenë një dëshirë dhe një ambicie e kahershme edhe e qeverive të tjera dhe e kryeministrave të tjerë për ta kthyer në destinacion turistik. Ne jemi të gatshëm të punojmë me ju dhe kini parasysh që ajo tokë nuk shitet. Ne duam që shteti shqiptar të jetë palë, ortak. Ndërsa për projektin e Zvërnecit kemi thënë se duhet të shikoni pronat dhe pronarët, pasi ne nuk kemi tokë shtetërore aty. Ju e dini shumë mirë se kush janë njerëzit e interesuar, ashtu siç e di e gjithë bota. Dhe këtu dua t’ju them diçka: bota e mbarë flet për këtë projekt për shkak të njeriut që e ka promovuar atë, Jared Kushner”, tha Rama.
Rama shtoi se Shqipëria nuk është më vendi ku nuk afrohej asnjë investitor, por një vend ku investitorët duan të vijnë, duke e cilësuar atë si “Shqipëria e 12 milionë turistëve”. Ai theksoi se vendi duhet të hyjë në elitën e turizmit global përmes investimeve që sjellin konsumatorë të nivelit të lartë, të cilët shpenzojnë në Shqipëri.
“Një vend që nuk ka frikë nga një projekt i jashtëzakonshëm si ky, ku partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro. Jo si ndërtues që ndërtojnë, shesin dhe ikin, si ata që kanë ndërtuar edhe pallate në Tiranë dhe më pas ua kanë lënë problemet banorëve që nuk marrin dot hipotekën, por si pronarë të terrenit, të cilin e kanë blerë me para të mbikëqyrura në mënyrë strikte nga Agjencia jonë Kundër Pastrimit të Parave dhe nga partnerët ndërkombëtarë që bashkëpunojnë me atë agjenci. Një për një, euro për euro, përmes bankës dhe jo nga Izraeli, që mund të ishte fare mirë edhe nga Izraeli, por nga Katari”, tha Rama.
Rama shtoi se e drejta për të protestuar është një e drejtë që nuk mund të vihet në diskutim në asnjë mënyrë në Shqipëri.
Qytetarë dhe aktivistë kanë organizuar ditët e fundit protesta kundër projektit në Zvërnec, si reagim ndaj incidenteve dhe tensioneve gjatë protestës së mbajtur në këtë zonë.
Gjatë një proteste të dielën në Zvërnec u shënuan incidente, ku sipas pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, disa roje të një kompanie private sigurie tërhoqën zvarrë një qytetar.
Për incidentet në fjalë është arrestuar një person, ndërsa Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se u është hequr licenca dy subjekteve private të sigurisë.























