| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Maqedonia e Veriut dhe Kroacia synojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit
“Përvoja kroate në e-arkiva dhe shërbime digjitale është një shembull i rëndësishëm për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm”, ka thënë ministri i Transformimit Digjital i Maqedonisë së Veriut.
Maqedonia e Veriut dhe Kroacia synojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit
Maqedonia e Veriut dhe Kroacia synojnë thellimin e bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit / AA

Ministri i Transformimit Digjital i Maqedonisë së Veriut, Stefan Andonovski, gjatë një vizite pune në Zagreb u takua me ministrin kroat të Drejtësisë, Administratës Publike dhe Transformimit Digjital, Damir Habijan, ku u diskutua thellimi i bashkëpunimit në fushën e digjitalizimit dhe modernizimit të shërbimeve publike.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Transformimit Digjital, në fokus të takimit ishte përmirësimi i shërbimeve digjitale për qytetarët, përfshirë përdorimin e aplikacioneve mobile dhe platformave elektronike që mundësojnë qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në shërbimet e institucioneve.

Dy ministrat theksuan rëndësinë e infrastrukturës së fuqishme digjitale, ndërveprueshmërisë ndërinstitucionale dhe shkëmbimit të sigurt të të dhënave si kushte kyçe për një transformim efektiv të sektorit publik.

Një pjesë e veçantë e diskutimit iu kushtua përvojës kroate në digjitalizimin e arkivave dhe sistemeve të menaxhimit të dokumenteve (DMS). Andonovski e vlerësoi këtë përvojë, duke theksuar se ajo është e rëndësishme për reformat që po zbaton Maqedonia e Veriut në drejtim të një administrate publike më efikase dhe transparente.

“Digjitalizimi është bazë për shërbime më të mira, më të shpejta dhe më të qasshme për qytetarët. Përvoja kroate në e-arkiva dhe shërbime digjitale është një shembull i rëndësishëm për bashkëpunim dhe zhvillim të mëtejshëm”, tha Andonovski.

Në takim u diskutua gjithashtu për organizimin e trajnimeve dhe shkëmbimin e ekspertëve mes dy vendeve, si dhe për mundësinë e bashkëpunimit përmes projekteve dhe mekanizmave të Bashkimit Evropian për mbështetjen e transformimit digjital.

Takimi bilateral i ministrave është pjesë e vizitës së Andonovskit në Kroaci dhe pjesëmarrjes së tij në Forumin e Unionit Ndërkombëtar të Demokracisë (IDU).

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë