| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Türkiye zotohet ta thellojë bashkëpunimin me vendet e tjera turkike
- "Konsultimet e zhvilluara në kuadër të Samitit të Organizatës së Shteteve Turke e synojnë forcimin e solidaritetit mes anëtarëve të saj", tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Türkiye zotohet ta thellojë bashkëpunimin me vendet e tjera turkike
Türkiye zotohet ta thellojë bashkëpunimin me vendet e tjera turkike/ AA

Türkiye do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për thellimin e bashkëpunimit me shtetet turkike në të gjitha fushat, duke u mbështetur në "lidhjet e kahershme vëllazërore", tha ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan në margjinat e takimeve të botës turkike në kryeqytetin Ankara.

"Shpresoj që samiti që do të mbahet nesër nën mikpritjen e presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, të sjellë bekime për botën turkike", shkroi Fidan në rrjetin social X, pas një takimi të ministrave të Jashtëm të Organizatës së Shteteve Turkike (OST), të mbajtur para samitit të kësaj organizate.

"Besojmë se konsultimet që vazhdojmë të zhvillojmë në përputhje me traditat e trashëguara nga paraardhësit tanë do ta forcojnë solidaritetin tonë dhe do të na ndihmojnë të arrijmë synimet tona të përbashkëta", tha ai.

Samiti, i cili do të mbahet të sot dhe të premten në Ankara, organizohet nga Erdogan me temën "Shekulli Turkik: Unitet në gjuhë, mendim dhe veprim". E themeluar në vitin 2009, Organizata e Shteteve Turkike e njohur më parë si Këshilli Turkik, miratoi emrin e saj aktual gjatë samitit të tetë, të mbajtur në Stamboll në vitin 2021.

Türkiye, Azerbajxhani, Kazakistani, Uzbekistani dhe Kirgistani janë anëtare të organizatës ndërsa Turkmenistani, Hungaria, Republika Turke e Qipros Veriore dhe Organizata e Bashkëpunimit Ekonomik kanë statusin e vëzhguesit.

Më 24 tetor, organizata njoftoi se në samit do të marrin pjesë krerët e shteteve anëtare, përfaqësues të nivelit të lartë nga shtetet vëzhguese dhe sekretari i përgjithshëm i saj, për të "diskutuar mbi gjendjen aktuale dhe perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit brenda organizatës", mes çështjeve të tjera.