| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
BE-ja miraton masa të përkohshme tregtare për Armeninë pas kufizimeve ruse
Masat do të pezullojnë detyrimet doganore për rreth 80 për qind të eksporteve të Armenisë drejt BE-së, përfshirë disa produkte bujqësore dhe do të zbatohen për dy vjet nga hyrja e tyre në fuqi.
BE-ja miraton masa të përkohshme tregtare për Armeninë pas kufizimeve ruse
BE-ja miraton masa të përkohshme tregtare për Armeninë pas kufizimeve ruse

Këshilli i BE-së ka miratuar zyrtarisht masa të përkohshme për liberalizimin e tregtisë së produkteve armene, pas kufizimeve tregtare të vendosura së fundmi nga Rusia.

Sipas Këshillit të BE-së, masat do të pezullojnë detyrimet doganore për rreth 80 për qind të eksporteve të Armenisë drejt BE-së, përfshirë disa produkte bujqësore dhe do të zbatohen për dy vjet nga hyrja e tyre në fuqi. Marrëveshja preferenciale përfshin kushte dhe masa mbrojtëse për t’i mbrojtur prodhuesit e BE-së në rast se importet ndikojnë negativisht në tregun e bllokut evropian.

Qëllimi është të mbështeten flukset tregtare nga Armenia drejt BE-së dhe të forcohen lidhjet ekonomike dypalëshe në kuadër të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse dhe të Zgjeruar të Partneritetit BE-Armeni. Parlamenti Evropian e miratoi propozimin e Komisionit Evropian pa ndryshime, duke i hapur rrugën miratimit përfundimtar.

"Po e rrisim mbështetjen tonë për Armeninë dhe popullin e saj, të cilët kanë zgjedhur qartë një rrugë proevropiane, pavarësisht presioneve të jashtme", tha ministrja irlandeze e Punëve të Jashtme dhe e Tregtisë, Helen McEntee. "Vendimi i sotëm do ta ndihmojë ekonominë e Armenisë, e cila është goditur nga kufizimet tregtare dhe tregon se partnerët tanë gjithmonë mund të mbështeten te BE-ja", shtoi ajo.

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos e mirëpriti vendimin, duke njoftuar se BE-ja ka vendosur të lejojë që 80 për qind e produkteve armene të hyjnë në bllokun evropian pa tarifa. "Ky është reagimi ynë ndaj mbylljes së tregut rus për prodhuesit dhe fermerët armenë pas zgjedhjes demokratike të Armenisë për t'u afruar më shumë me Evropën", tha Kos në rrjetin social amerikan X.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Estonisë, Margus Tsahkna e mirëpriti masën, duke u shprehur se ajo do të forcojë qëndrueshmërinë ekonomike të Armenisë dhe do të thellojë lidhjet e saj me BE-në. "Lidhjet më të forta tregtare do ta fuqizojnë ekonominë e Armenisë, do të thellojnë lidhjet me BE-në dhe do të krijojnë mundësi të reja për rritje dhe bashkëpunim", tha Tsahkna.

Rregullorja tani do të nënshkruhet dhe do të publikohet në "Gazetën Zyrtare" të BE-së.

Ajo do të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë