Gjermania do ta presë presidentin sirian javën e ardhshme për bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe

Kancelari Merz do të takohet me presidentin sirian, Ahmad al-Sharaa, më 20 janar për ta diskutuar tranzicionin politik të Sirisë, rimëkëmbjen ekonomike dhe kthimin e refugjatëve.

By
Gjermania do ta presë presidentin sirian javën e ardhshme për bisedime mbi marrëdhëniet dypalëshe / AA

Presidenti sirian, Ahmad al-Sharaa, do të vizitojë Berlinin javën e ardhshme për udhëtimin e tij të parë zyrtar në Gjermani që nga marrja e detyrës.

Zëvendëszëdhënësi i qeverisë gjermane, Sebastian Hille, tha se vizita dyditore e presidentit të Sirisë do të fillojë më 19 janar dhe do të përqendrohet në forcimin e marrëdhënieve politike dhe ekonomike midis dy vendeve.

Ai u tha gazetarëve se pas një takimi dypalësh me kancelarin Friedrich Merz të martën, presidenti sirian do të marrë pjesë në një diskutim në tryezë të rrumbullakët me përfaqësues të kompanive të mëdha gjermane, ku do të jenë të pranishëm edhe ministri i Jashtëm, Johann Wadephul dhe ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche.

"Ne jemi të interesuar t’i thellojmë marrëdhëniet dhe të bëjmë një fillim të ri me qeverinë e re siriane, dhe kemi shumë çështje të rëndësishme për të adresuar", tha Hille.

Ai theksoi se diskutimet do t’i mbulojnë zhvillimet e fundit rajonale, tranzicionin politik të Sirisë, rimëkëmbjen ekonomike dhe kthimin e refugjatëve.

Al-Sharaa është planifikuar gjithashtu të takohet në Pallatin Bellevue të martën me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier.