Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, gjatë qëndrimit në Budapest, ka marrë pjesë në një drekë pune të organizuar nga presidenti i Hungarisë, Andras Baka, për krerët e delegacioneve me rastin e shënimit të 70-vjetorit të Revolucionit Hungarez.
Presidenca e Maqedonisë së Veriut njoftoi se Siljanovska-Davkova e përgëzoi presidentin hungarez për zgjedhjen e tij në postin e presidentit në gusht të këtij viti dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve përmes dialogut politik, shkëmbimit të vizitave dhe avancimit të bashkëpunimit ekonomik.
Ajo gjithashtu e falënderoi Hungarinë për mbështetjen parimore dhe të fuqishme ndaj integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, si dhe për angazhimin e saj aktiv në kuadër të Grupit të Vishegradit.
Siljanovska-Davkova e theksoi rëndësinë e një procesi të besueshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), të bazuar në merita dhe në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës.
Gjatë takimit, bashkëbiseduesit diskutuan gjithashtu për sfidat aktuale gjeopolitike dhe nevojën për forcimin e multilateralizmit si mekanizëm për ndërtimin e institucioneve të forta, të cilat do t’u mundësonin vendeve të vogla pjesëmarrje më të madhe në proceset vendimmarrëse për çështjet globale.
Presidentja maqedonase shprehu qëndrimet e saj për nevojën e reformave të thella në organizatat ndërkombëtare dhe kalimin nga diplomacia reaktive në atë parandaluese, si parakusht për përballimin efektiv të krizave globale.
Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.





















