| Albanian
TÜRKİYE
2 minuta leximi
Türkiye shënon 43-vjetorin e themelimit të Republikës Turke të Qipros së Veriut
Presidenti Recep Tayyip Erdoğan përcolli “urimet e përzemërta” me rastin e përvjetorit, duke kujtuar “me mëshirë dëshmorët heroikë dhe me mirënjohje veteranët e nderuar”.
Türkiye shënon 43-vjetorin e themelimit të Republikës Turke të Qipros së Veriut
Türkiye shënon 43-vjetorin e themelimit të Republikës Turke të Qipros së Veriut / TRT World

Türkiye shënoi të dielën 43-vjetorin e themelimit të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), duke riafirmuar mbështetjen për qipriotët turq, sovranitetin dhe lirinë e tyre.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan i përcolli RTQV-së “urimet e përzemërta” me rastin e përvjetorit, duke i kujtuar gjithashtu “me mëshirë dëshmorët tanë heroikë dhe me mirënjohje veteranët tanë të nderuar”.

“U dërgoj përshëndetjet dhe urimet më të ngrohta vëllezërve dhe motrave tona qipriotë turq, me të cilët do të vazhdojmë të forcojmë solidaritetin në çdo fushë”, tha ai.

Duke e cilësuar çështjen e Qipros si “kauzë kombëtare” të Türkiyes, Erdoğan u zotua se Ankaraja nuk do ta braktisë kurrë ishullin, në asnjë rrethanë.

Në një deklaratë të publikuar në NSosyal, Ministria e Jashtme e Türkiyes e cilësoi RTQV-në si simbol të luftës së popullit qipriot turk për sovranitet dhe ekzistencë.

Ministria tha se RTQV-ja dëshmon se qipriotët turq, të cilët i cilësoi si pjesë të pandashme të kombit turk, nuk kanë hequr dorë kurrë nga sovraniteti dhe liria e tyre dhe se nuk do ta bëjnë as në të ardhmen.

Ajo riafirmoi gjithashtu mbështetjen e Türkiyes për qipriotët turq, duke thënë se ata do të vazhdojnë të jetojnë të lirë dhe të sigurt në atdheun e tyre, nën flamurin e vet dhe me mbështetjen e fuqishme të Türkiyes, si mëmëdheu dhe vendi i tyre garantues.

Ministria nderoi kujtimin e udhëheqësit të ndjerë të qipriotëve turq, dr. Fazıl Küçük, dhe të presidentit themelues të RTQV-së, Rauf Raif Denktaş, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tyre në kauzën e qipriotëve turq.

Ajo përkujtoi gjithashtu ushtarët turq dhe luftëtarët qipriotë turq që humbën jetën gjatë luftës dhe shprehu mirënjohje për veteranët.

Edhe Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e uroi RTQV-në për përvjetorin dhe u zotua se do të vazhdojë të qëndrojë pranë “vëllezërve dhe motrave tona qipriotë turq, ashtu siç ka bërë në të kaluarën dhe siç do të bëjë në të ardhmen”.

Drejtori i Komunikimeve të Türkiyes, Burhanettin Duran, shënoi gjithashtu 43-vjetorin e RTQV-së, duke e riafirmuar angazhimin e Türkiyes, nën udhëheqjen e Erdoğanit, për t'i mbrojtur të drejtat, barazinë sovrane dhe sigurinë e qipriotëve turq.

Në një deklaratë në NSosyal, Duran nderoi kujtimin e shtetarëve të ndjerë Denktaş dhe Küçük, si dhe të atyre që humbën jetën në luftën e qipriotëve turq për liri.

RTQV-ja shpalli pavarësinë më 15 nëntor 1983 dhe njihet si shtet i pavarur vetëm nga Türkiye.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë