| Albanian
POLITIKË
2 minuta leximi
Presidenti finlandez: Türkiye, aktor i rëndësishëm i sigurisë dhe aleat i domosdoshëm i NATO-s
Alexander Stubb bëri thirrje për bashkëpunim më të thellë të BE-së me Türkiyen, duke e përshkruar zgjerimin si mjet strategjik për ta forcuar ndikimin global të Evropës.
Presidenti finlandez: Türkiye, aktor i rëndësishëm i sigurisë dhe aleat i domosdoshëm i NATO-s
Presidenti finlandez: Türkiye, aktor i rëndësishëm i sigurisë dhe aleat i domosdoshëm i NATO-s/ AA / َAA

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, të hënën bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Türkiyes, duke e cilësuar Ankaranë si një aktor të rëndësishëm të sigurisë evropiane dhe aleate të pazëvendësueshme të NATO-s.

Duke folur në Forumin e Zgjerimit të BE-së në Bruksel, Stubb tha se BE-ja dhe Türkiye kanë interesa të përbashkëta dhe duhet ta forcojnë bashkëpunimin në fushat ku përparësitë e tyre përputhen.

“Duhet të flasim hapur edhe për Türkiyen, një aktor i rëndësishëm i sigurisë evropiane dhe aleate e pazëvendësueshme e NATO-s”, tha ai.

Stubb theksoi se bashkëpunimi ndërmjet BE-së dhe Türkiyes “mund dhe duhet të thellohet” kudo që interesat e tyre përputhen.

Türkiye ka zhvilluar një nga industritë e mbrojtjes dhe hapësirës ajrore me rritjen më të shpejtë në botë, me më shumë se 3.500 kompani që operojnë në këtë sektor, duke u bërë një prodhues dhe eksportues gjithnjë e më i rëndësishëm i armëve.

Duke folur për sfidat më të gjera me të cilat përballet Evropa, presidenti finlandez përmendi konkurrencën mes fuqive të mëdha, luftën në kontinent, rivalitetin teknologjik dhe pasigurinë në rritje.

Ai argumentoi se zgjerimi i BE-së ofron përgjigje strategjike ndaj këtyre sfidave.

“Duhet ta shfrytëzojmë mirë instrumentin më të suksesshëm të politikës së jashtme që ka pasur ndonjëherë Bashkimi Evropian”, tha Stubb.

Ai theksoi se zgjerimi nuk duhet të trajtohet thjesht si një proces teknik, por si një “instrument strategjik dhe gjeopolitik”.

“Dhe po, fuqia lidhet edhe me madhësinë. Sa më e madhe të jetë BE-ja, aq më shumë fuqi globale mund të ushtrojmë”, shtoi ai.

- Evropa duhet të “mendojë në mënyrë madhështore”

Stubb tha se Evropa është “zgjuar”, po “riarmatoset” dhe është shndërruar në “aktor gjeopolitik”.

Ai u bëri thirrje si vendeve anëtare të BE-së, ashtu edhe vendeve kandidate që të “mendojnë në mënyrë madhështore” për të ardhmen e bllokut.

“Zgjerimi, i kombinuar me integrimin krijues, fleksibël dhe gradual, duhet të bëhet sërish një nga projektet kryesore strategjike të kohës sonë”, tha ai.