| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shënohet me tubime edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut
Me rastin e 1 Majit, në Tiranë dhe në Shkup u organizuan tubime për sensibilizimin e institucioneve për respektimin e të drejtave të punonjësve.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shënohet me tubime edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve shënohet me tubime edhe në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut / AA

Në Shqipëri, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve u prit me protesta, ku qytetarët organizuan tubime për sensibilizimin e institucioneve për respektimin e të drejtave të punonjësve.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë (KSSh) zhvilloi protestë para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë.

Sipas KSSh-së, tubimi është mbajtur si një reagim i drejtpërdrejtë ndaj "realitetit të papranueshëm që përjetojnë çdo ditë punëtorët në Shqipëri".

Sipas konfederatës, mijëra punëtorë jetojnë në pasiguri dhe padrejtësi dhe se "punëtorët përballen me paga që nuk mbulojnë jetesën minimale, me orë të gjata pa shpërblim, me mungesë sigurie dhe me një sistem që shpesh i lë të vetëm përballë shfrytëzimit".

Gjithashtu, KSSh-ja dhe punëtorët pjesëmarrës në tubim kërkuan sipas tyre paga dinjitoze, kushte të sigurta në punë, mbrojtje sociale që funksionon dhe masa ndaj informalitetit.

Një tjetër tubim në Tiranë është mbajtur nga Unioni i Sindikatave të Shqipërisë përballë selisë së Ministrisë së Ekonomisë dhe të Inovacionit.

Sipas unionit, tubimi kishte për qëllim për të rritur ndërgjegjësimin publik mbi çështjet që shqetësojnë punonjësit.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, u mbajt protestë edhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut, ku Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) organizoi protestë nën moton "Luftojmë për paga, nuk lutemi". 

Qindra njerëz u mblodhën para ndërtesës së LSM-së, prej ku marshuan drejt Kuvendit, Dhomës së Tregtisë dhe më pas drejt Qeverisë.

Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafillov, në fjalimin e tij para selisë së Qeverisë tha se gjysma e popullsisë punëtore në vend jeton me një pagë më pak se 600 euro.

Ai tha gjithashtu se një e treta e popullsisë së përgjithshme të aftë për punë në Maqedoninë e Veriut jeton nën kufirin e varfërisë.

"Ne kërkojmë që paga minimale të rritet për dy vjet. Për dy vjet ata kanë refuzuar ta rrisin atë sepse nuk duan të rivendosin dinjitetin e punëtorit", shtoi Trendafillov.

Ashtu edhe si në protestat e kaluara nga LSM-ja, protestuesit kërkuan pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje lineare prej 100 eurosh për të gjithë.

Ndryshe, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë ka protestuar disa herë këtë vit me kërkesë për rritjen e pagave.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë