IEA-ja: Mbi 40 pozicione energjetike në Lindjen e Mesme janë dëmtuar rëndë nga konflikti
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë, Fatih Birol, njoftoi se dëmi mund të zgjasë ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit edhe pas përfundimit të konfliktit.
Më shumë se 40 asete energjetike në 9 vende të Lindjes së Mesme janë dëmtuar “rëndë ose shumë rëndë” gjatë konfliktit të vazhdueshëm, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA), sipas raporteve të medias të dielën.
Drejtori ekzekutiv i IEA-së, Fatih Birol, deklaroi se dëmi mund të zgjasë ndërprerjet në zinxhirët globalë të furnizimit edhe pas përfundimit të konfliktit. “Do të duhet pak kohë që fushat e naftës, rafineritë dhe tubacionet t’i rikthehen punës”, tha ai.
Biroli theksoi se mbi tri javë luftime kanë ndërprerë të gjithë zinxhirin e furnizimit me energji dhe pothuajse kanë ndalur transportin detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ai shpjegoi se ndikimi i ndërprerjeve është i krahasueshëm me “dy krizat e mëdha të naftës në vitet 1970 dhe krizën e gazit natyror të vitit 2022, të gjitha së bashku”.
“Është ndërprerë jo vetëm tregtia e naftës dhe gazit, por edhe e disa prej arterieve jetësore të ekonomisë globale”, shtoi Biroli, duke paralajmëruar se Azia është veçanërisht e prekur për shkak të varësisë së saj nga furnizimet me energji nga rajoni.
“Çdo vend shikon së pari interesin e vet të brendshëm, por kufizimet serioze të eksportit pa justifikim mund të mos jenë diçka që merr pikë pozitive”, u shpreh ai.
Sipas tij, IEA-ja planifikon të lirojë 400 milionë fuçi naftë nga rezervat e emergjencës për të lehtësuar goditjet e furnizimit. Ai vuri në pah se të tjera rezerva shtesë mund të lirohen nëse ndërprerjet vazhdojnë.
Biroli theksoi se rihapja e Ngushticës së Hormuzit mbetet kritike për rivendosjen e rrjedhave globale të energjisë.
Ngushtica e Hormuzit është ndërprerë në mënyrë efektive që nga fillimi i marsit. Rreth 20 milionë fuçi naftë normalisht kalojnë nëpër të çdo ditë, ndërsa ndërprerja e saj ka rritur kostot e transportit dhe ka shtyrë çmimet globale të naftës më lart.
Sulmet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit kundër Iranit filluan më 28 shkurt dhe thuhet se kanë vrarë të paktën 1.300 njerëz, përfshirë udhëheqësin suprem të atëhershëm, Ali Khamenei.
Irani është hakmarrë me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjuar Izraelin, Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane.