Putin: Rusia nuk do të përkulet kurrë ndaj presionit të ShBA-së
Vlladimir Putin deklaroi se Rusia nuk do të përkulet kurrë ndaj presionit nga Shtetet e Bashkuara apo të ndonjë vendi tjetër dhe paralajmëroi se përgjigjja ndaj çdo sulmi të kryer thellë në territorin rus do të jetë shumë e ashpër.
Sanksionet amerikane janë një akt “jomiqësor” dhe “do të kenë pasoja të caktuara, por nuk do të ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien tonë ekonomike”, tha Putin të enjten.
Ai shtoi se sektori energjetik rus është i qëndrueshëm.
“Kjo është, sigurisht, një përpjekje për të ushtruar presion ndaj Rusisë”, tha Putin, duke shtuar se asnjë vend që respekton veten dhe asnjë popull që respekton veten nuk merr vendime nën presion.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj dy prodhuesve më të mëdhenj të naftës në Rusi, Rosneft dhe Lukoil, sanksionet e para ndaj Rusisë, që kur Presidenti amerikan Donald Trump u rikthye në detyrë.
Putin paralajmëroi se prishja e ekuilibrit në tregjet globale të energjisë mund të shkaktojë rritje të çmimeve, çka do të ishte e pakëndshme për vende si Shtetet e Bashkuara, veçanërisht duke pasur parasysh kalendarin politik të brendshëm amerikan.
I pyetur për një raport të Wall Street Journal ku thuhej se administrata Trump kishte hequr një kufizim të rëndësishëm për përdorimin nga Ukraina të disa raketave me rreze të gjatë të siguruara nga aleatët perëndimorë, si dhe për deklaratat e presidentit ukrainas Zelenskyy mbi raketat vendase me rreze 3.000 km, Putin tha: “Kjo është një përpjekje për përshkallëzim”.
“Dialogu është gjithmonë më i mirë se konfrontimi apo çdo lloj përplasjeje, e sidomos lufta. Ne gjithmonë kemi mbështetur vazhdimin e dialogut”, shtoi Putin.
Por, nëse Rusia do të sulmohej me raketa amerikane Tomahawk, të cilat Ukraina kërkon, përgjigjja do të ishte “shumë e fortë, në mos shkatërruese”, theksoi ai.