Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se ndërlidhja është e pandashme nga siguria.
Hoxha ka marrë pjesë në Konferencën për Korridorin 8 në Sofje, organizuar nga ministrja për Punët e Jashtme e Bullgarisë, Velislava Petrova.
Në një reagim në rrjetet sociale, ai ka theksuar se në fillim të këtij viti, në Tiranë përcaktuan një vizion të përbashkët politik për këtë korridor ndërsa sipas tij sot në Sofje fokusi është i qartë: "ta kthejmë angazhimin politik në zbatim konkret. Suksesi i Korridorit 8 nuk do të matet me deklarata, por me zbatimin".
Sipas ministrit Hoxha, për Shqipërinë, kjo do të thotë të ndërtojnë një korridor të vetëm, plotësisht funksional, dhe "jo një seri projektesh kombëtare të palidhur".
"Diskutimet e sotme rikonfirmuan një realitet të thjeshtë, por të rëndësishëm: gjeografia kthehet në aset strategjik vetëm kur jemi në gjendje të krijojmë lidhje përmes saj. Në këtë kuadër, Korridori 8 është shumë më tepër se një projekt transporti. Ai është një portë strategjike Lindje–Perëndim që lidh Adriatikun me Detin e Zi, duke bashkuar ekonomitë tona, rrjetet energjetike, interesat tona të sigurisë dhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane", është shprehur Hoxha.
Duke theksuar se Korridori 8 është gjithashtu një projekt i fuqishëm evropian, Hoxha u shpreh: "Ai ka potencialin t’i bëjë përfitimet e integrimit evropian të prekshme përpara anëtarësimit. Lidhje më të mira do të thotë më shumë tregti, kosto më të ulëta transporti, më shumë investime dhe konkurrueshmëri më të lartë. Mbi të gjitha, ai afron qytetarët, bizneset dhe tregjet tona".
"Por sot, ndërlidhja është e pandashme nga siguria. Adriatiku, Ballkani Perëndimor dhe Deti i Zi janë pjesë e së njëjtës hapësirë strategjike. Forcimi i Korridorit 8 do të thotë gjithashtu forcim i infrastrukturës, lëvizshmërisë dhe qëndrueshmërisë që mbështesin sigurinë, parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive. Si porta hyrëse e këtij korridori nga Adriatiku, Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë avancimit të lëvizshmërisë ushtarake dhe nxitjes së një koordinimi më të ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe NATO-s për infrastrukturën prioritare me përdorim të dyfishtë", tha Hoxha.
Kryediplomati i Shqipërisë është shprehur se konsensusi politik tashmë ekziston dhe shtoi se ajo që nevojitet tani është një listë e qartë projektesh prioritare, afate realiste, koordinim më i fortë ndërmjet qeverive dhe një mekanizëm i qëndrueshëm për monitorimin e zbatimit.
"Në fund të fundit, Korridori 8 do të matet me rezultatet që arrijmë së bashku dhe, mbi të gjitha, me faktin nëse qytetarët tanë do të përjetojnë një rajon më të ndërlidhur, më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe më evropian. Shqipëria nuk është vetëm e angazhuar; ne kemi kaluar në fazën e zbatimit. Do të bëjmë pjesën tonë për ta kthyer Korridorin 8 nga vizion në realitet", është shprehur Hoxha.























