Kryediplomati i Türkiyes dhe ai i Sirisë diskutojnë për situatën në Halep
Në një bisedë telefonike, Hakan Fidan dhe Asaad Hassan al-Shaibani diskutuan për situatën në qytet, i cili ditët e fundit ka qenë objekt i sulmeve nga organizata terroriste YPG/SDF.
Ministri i Punëve të Jashtme i Türkiyes Hakan Fidan dhe homologu i tij sirian Asaad Hassan al-Shaibani sot në një bisedë telefonike diskutuan për situatën në qytetin e Halepit, njoftuan burime diplomatike turke.
Sipas zyrtarëve sirianë, organizata terroriste YPG/SDF ka kryer sulme në disa lokacione në Halep nga zonat që i ka pushtuar që nga 6 janari. Damasku i ka bërë thirrje grupit ta respektojë marrëveshjen e arritur më 10 mars të vitit të kaluar dhe t’i ndalë sulmet.
Me vazhdimin e sulmeve, ushtria siriane ka nisur operacione të synuara kundër pozicioneve të grupit në lagjet Sheikh Maqsoud dhe Ashrafiyah, të cilat ndodheshin nën okupimin e organizatës terroriste.
Më 10 mars të vitit të kaluar, presidenca siriane njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje për integrimin e organizatës terroriste YPG/SDF në institucionet shtetërore, duke e riafirmuar unitetin territorial të vendit dhe duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ndarje.
Megjithatë, autoritetet thonë se në muajt pasues grupi terrorist nuk ka treguar përpjekje për t’i përmbushur kushtet e marrëveshjes. Qeveria ka intensifikuar përpjekjet për ruajtjen e sigurisë në gjithë vendin që nga rrëzimi i regjimit të Asadit në dhjetor të vitit 2024, pas 24 vitesh në pushtet.
Që nga 6 janari, të paktën nëntë sirianë janë vrarë dhe 55 persona, shumica civilë, janë plagosur nga sulmet e kryera nga grupi. Komiteti i Qendrës së qytetit të Halepit njoftoi këtë javë se 142 mijë persona janë evakuuar në zona të sigurta brenda qytetit.