| Albanian
TÜRKİYE
3 minuta leximi
Ish-kryetari i Bashkisë së Istanbulit, Imamoğlu, akuzohet për korrupsion
Prokurorët dorëzuan një aktakuzë të shpërndarë në mijëra faqe që rrëfen një histori korrupsioni dhe shpërdorimi të detyrës.
Ish-kryetari i Bashkisë së Istanbulit, Imamoğlu, akuzohet për korrupsion
Ish-kryetari i Bashkisë së Istanbulit, Imamoglu, akuzohet për korrupsion / AA
11 Nëntor 2025

Prokurori i Përgjithshëm i Istanbulit paraqiti  të martën një aktakuzë kundër ish-kryetarit të bashkisë së Istanbulit, Ekrem Imamoğlu, duke detajuar mënyrën se si ai shpërdori detyrën për pasurim personal.

Aktiakuza prej 4.000 faqesh, e përgatitur nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Istanbulit, paraqet një model të gjerë korrupsioni, bashkëpunimi të paligjshëm dhe shpërdorimi të detyrës publike gjatë mandatit të Imamoğlut si kryebashkiak.

Dokumenti, i finalizuar pas muajsh hetimesh, përshkruan mënyrën se si autoriteti bashkiak u manipulua sistematikisht për t'u shërbyer interesave politike dhe personale.

Prokurorët përshkruajnë një rrjet të strukturuar që vepronte nën drejtimin e Imamoğlut, i përfshirë me më shumë se 400 individë, nga zyrtarë të lartë deri te figura të fuqishme biznesi, të lidhur me manipulimin e tenderëve publikë, zinxhirët e ryshfetit dhe skemat e paligjshme të financimit. Po ashtu, prokurorët akuzuan ish-kryetarin e burgosur të Istanbulit, Ekrem Imamoğlu, për 142 vepra penale.

Në aktakuzë, Imamoğlu përballet me akuza që përfshijnë formimin e një organizate kriminale, marrje ryshfeti, mashtrim, manipulim tenderësh, pastrim parash dhe zbulim të paligjshëm të të dhënave personale. Prokurorët kërkojnë një dënim me burg deri në 2.430 vjet.

Humbjet tejkalojnë 4 miliardë dollarë

Sipas aktakuzës, është konstatuar një humbje publike prej 160 miliardë lirash turke dhe 24 milionë dollarësh.

Aktiakuzë thotë se Bashkia Metropolitane e Istanbulit (İBB) mori një hua prej 69,5 miliardë lirash turke nga jashtë për sistemet hekurudhore.

Nga kjo shumë, 19,9 miliardë lira u transferuan në institucione të huaja financiare dhe 13,9 miliardë lira u transferuan në kompani të lidhura me organizatën, duke rezultuar në një humbje totale publike prej 39,9 miliardë lirash.

Provat e përmendura në aktakuzë përfshijnë raporte të inteligjencës financiare, komunikime të koduara, pamje të kamerave të sigurisë dhe regjistrime digjitale, të cilat, sipas hetuesve, paraqesin një portret të keqbërjes së organizuar, thellësisht të rrënjosur brenda administratës së kryetarit të bashkisë.

Në qendër të dosjes qëndrojnë bashkëpunëtorët më të afërt të Imamoglut: zëdhënësi i bashkisë Murat Ongun, kreu i Klubit Sportiv İBB Fatih Keles, drejtori i Imamoğlu İnşaat Tuncay Yilmaz, kryetari i bashkisë së Beylikduzu Mehmet Murat Calik dhe avokati i Imamoğlut, Mehmet Pehlivan.

Roli i tyre, sipas prokurorëve, ishte thelbësor në mirëmbajtjen e një sistemi të koordinuar ndikimi dhe përfitimi financiar që fshiu kufirin mes detyrës publike dhe pasurimit personal. Imamoglu ka qenë në paraburgim që nga muaji mars, kur u arrestua bashkë me dhjetëra të tjerë në një hetim për korrupsion të lidhur me Bashkinë Metropolitane të Istanbulit.

Në atë kohë, prokurorët deklaruan se arrestimet u bënë në kuadër të një hetimi financiar mbi akuzat për “krijim dhe drejtim të një organizate kriminale, pranimin e ryshfetit, zhvatje, regjistrim të paligjshëm të të dhënave personale dhe ndërhyrje në tender”.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë