| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
BE-ja miraton një pagesë rekord prej rreth 8 miliardë euro për Ukrainën
Rreth 5,5 miliardë dollarë vijnë nga burimet e Huasë për Mbështetjen e Ukrainës, pasi Kievi përmbushi mbi 20 objektiva reformash në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe energjisë.
BE-ja miraton një pagesë rekord prej rreth 8 miliardë euro për Ukrainën
BE-ja miraton një pagesë rekord prej rreth 8 miliardë euro për Ukrainën / TRT Balkan AL

Bashkimi Evropian miratoi sot pagesën më të madhe të vetme deri më tani për Ukrainën në kuadër të Mekanizmit të BE-së për Ukrainën, duke hapur rrugën për dhënien e afro 8 miliardë eurove në mbështetje të rimëkëmbjes dhe reformave të Kievit. 

Këshilli i BE-së bëri të ditur se pagesa vjen pas përmbushjes nga Ukraina të më shumë se 20 objektivave të lidhura me reformat në fushën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit, parandalimit të pastrimit të parave, tregjeve financiare, energjisë dhe transformimit digjital.

Sipas Këshillit, rreth 5 miliardë euro të kësaj pagese vijnë nga burimet e vëna në dispozicion përmes Huasë për Mbështetjen e Ukrainës në vitin 2026. Financimi synon të forcojë stabilitetin makroekonomik të Ukrainës, të mbështesë rindërtimin dhe modernizimin, të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve publike dhe të avancojë reformat.

Pagesat në kuadër të këtij mekanizmi lidhen me Planin për Ukrainën, i cili përcakton përparësitë e Kievit për rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin si dhe reformat në përputhje me synimin e anëtarësimit në BE.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy mirëpriti vendimin, duke falënderuar Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian për miratimin e pagesës. Ai falënderoi presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen për “përpjekjet e saj personale për të përshpejtuar përgatitjen e kësaj pagese”, në një kohë kur nevojat buxhetore të Ukrainës po rriten përpara dimrit dhe intensifikimit të sulmeve ruse.

“Është e rëndësishme që ky vendim vjen pas përmbushjes nga Ukraina të më shumë se 20 angazhimeve për reforma dhe rikonfirmon se Ukraina i përmbush marrëveshjet me BE-në”, shkroi Zelenskyy në platformën amerikane të mediave sociale X.

“Është thelbësore që ky përparim të pasqyrohet edhe në hapjen e dy grupeve të mbetura të negociatave për anëtarësimin në BE”, shtoi ai.

- Mekanizmi për Ukrainën

I krijuar në mars të vitit 2024, Mekanizmi për Ukrainën parashikon më shumë se 50 miliardë euro në grante dhe kredi për të mbështetur rimëkëmbjen, rindërtimin dhe modernizimin e Ukrainës deri në vitin 2027.

Më shumë se 40 miliardë euro janë ndarë për reforma dhe investime në kuadër të Planit për Ukrainën, ndërsa pagesat varen nga përparimi në përmbushjen e objektivave të përcaktuara.

Pagesa e fundit e çon në mbi 40 miliardë euro shumën totale të disbursuar për Ukrainën në kuadër të këtij plani që nga mesi i vitit 2024, bëri të ditur Këshilli i BE-së.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë