Kosovë, shënohet 28 vjetori i Epopesë së UÇK-së

"Sa herë që dikush dyshon në forcën e popullit, mjafton të përmendet emri i Adem Jasharit dhe familjes Jashari, të cilët ranë për t'u ngritur një komb i tërë", tha presidentja Osmani.

By
Kosovë, shënohet 28 vjetori i Epopesë së UÇK-së / AA

Në Kosovë me seancë solemne është përkujtuar sot Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në 28 vjetorin e saj.

Në seancën e cila nisi me intonimin e himnit të flamurit dhe një minutë heshtje për dëshmorët e luftës në Kosovë, morën pjesë krerë të institucioneve të larta në vend, pjesëtarë të familjes së Adem Jasharit, deputetë, diplomatë të huaj, familje të dëshmorëve dhe përfaqësues të institucioneve tjera të vendit.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se Epopeja mëson se kur një popull dëshiron të jetojë i lirë, asnjë forcë s'mund ta ndalë atë.

Osmani tha se lufta e UÇK-së nuk ishte betejë e një populli të vetëm por ajo u mbështet nga aleatë të shumtë nga e gjithë bota në momentet më të rënda.

"Pikërisht kjo mbështetje dhe solidaritet, e bashkëdyzuar me sakrificën e UÇK-së e bënë të mundur kapitullin e ri të lirisë dhe shtetit tonë. Por, epopeja nuk ka mbaruar, ajo vazhdon në secilin institucion, tek secili ushtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, tek secili polic që çdo ditë përkujdeset për sigurinë tonë, tek mësuesit që edukojnë këtë brez, tek mjekët tanë, e mbi të gjitha tek secili qytetar që punon me ndershmëri", tha Osmani.

"Sa herë që dikush dyshon në forcën e popullit, mjafton të përmendet emri i Adem Jasharit dhe familjes Jashari, të cilët ranë për t'u ngritur një komb i tërë", tha Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se në agimin e 5 marsit forca të shumta ushtarake dhe policore serbe izoluan fshatin e Prekazit duke u përqendruar para familjes Jashari dhe Adem Jashari e dinte se cila ditë kishte ardhur.

"Në tre ditë luftime, e gjithë historia e Kosovës kaloi përmes Jasharëve dhe qëndresës së tyre, përmes vendosmërisë për të mos u larguar nga toka e tyre", tha Haxhiu.

Ajo tha se sakrifica e Jasharëve mbeti jo vetëm dhimbje por themel i kujtesës dhe qëndresës së kombit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se figura e Adem Jasharit u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin. Ai tha se kthesa në rrjedhën historike të përpjekjeve të gjata për liri dhe barazi, kthesa në Prekaz artikuloi qartë aspiratën e Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese.

"Qëndresa e familjes Jashari të Prekazit dhe e gjithë atyre që u rreshtuan krah tyre e pas tyre në udhën e çlirimit, përbëjnë një trashëgimi të thellë politike, kulturore e kombëtare prej të cilës buron liria e Kosovës dhe mbi të cilën u ngrit Republika jonë. Krismat e pushkës në Prekaz u përhapën larg deri te ndërgjegjja e diplomacisë ndërkombëtare.

 Ato krisma zgjuan mbarë kombin dhe shumëfishuan radhët e UÇK-së duke shndërruar rezistencën në një lëvizje të pandalshme për liri", tha Kurti.

Epopeja e UÇK-së është një manifestim që tradicionalisht mbahet më 5, 6 dhe 7 mars, në kujtim të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari dhe 55 anëtarëve të familjes së tij, të cilët u vranë në një sulm nga forcat speciale të policisë serbe në mars të vitit 1998.