Në qytetin e Ohrit është hapur Konferenca e Katërt Vjetore e Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, me temë “Sfidat bashkëkohore për sundimin e ligjit: Roli i gjykatave kushtetuese”.
Konferenca mbledh përfaqësues të gjykatave kushtetuese të vendeve të Ballkanit, të cilët diskutojnë për sfidat me të cilat përballen sistemet kushtetuese në kohën e sotme, veçanërisht për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit kushtetues, forcimin e demokracisë dhe rritjen e besimit të qytetarëve në institucionet gjyqësore.
Në hapje të konferencës, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Darko Kostadinovski, e nënvizoi rëndësinë e pavarësisë së gjyqtarëve, forcimit të besimit të qytetarëve përmes transparencës dhe vendimeve të kuptueshme.
“Pavarësia e gjykatave kushtetuese është thelbësore për sundimin e ligjit. Ajo merr kuptim të vërtetë kur gjyqtari ka njohuri, integritet dhe guxim për të vendosur sipas bindjes së tij juridike, i lirë nga ndikimet politike”, tha ai.
Kostadinovski i trajtoi gjithashtu mundësitë dhe rreziqet e përdorimit të inteligjencës artificiale në drejtësi, duke thënë se përparimi teknologjik krijon mundësi, por, njëkohësisht, e shtroi pyetjen nëse inteligjenca artificiale mund ta zëvendësojë ndonjëherë ndërgjegjen, etikën, integritetin moral dhe bindjen e pavarur juridike të një gjyqtari.
Sipas një njoftimi zyrtar, konferenca, e cila po mbahet nga 12 deri më 14 nëntor, synon po ashtu ta nxisë dialogun dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet gjykatave kushtetuese të rajonit, duke kontribuuar në identifikimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.




















