Bashkimi Evropian (BE) dhe Vietnami ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në fushat e tregtisë, investimeve dhe lëndëve të para kritike, gjatë vizitës së presidentit vietnamez To Lam në Bruksel.
Lam u takua me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, për të diskutuar bashkëpunimin, sigurinë rajonale dhe sfidat globale.
Sipas një deklarate të përbashkët, ata bënë thirrje për “zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë BE-Vietnam dhe ratifikimin e shpejtë të Marrëveshjes për Mbrojtjen e Investimeve”.
Liderët ranë dakord gjithashtu të “punojnë drejt zhvillimit të bashkëpunimit për lëndët e para kritike” dhe të thellojnë lidhjet në fushat e teknologjisë, inovacionit, arsimit, infrastrukturës strategjike dhe tranzicionit të gjelbër.
Ata mirëpritën hovin e ri në marrëdhëniet mes palëve pas ngritjes së tyre në nivelin e Partneritetit Gjithëpërfshirës Strategjik në janar, duke riafirmuar planet për të avancuar investimet përmes nismës “Global Gateway” dhe Partneritetit për Tranzicion të Drejtë Energjetik.
Mbi fushën e mbrojtjes, deklarata theksoi “potencialin për bashkëpunim në mbrojtje dhe siguri, në përputhje me ligjet, përparësitë dhe politikat përkatëse të palëve”.
Bashkëpunimi ekzistues përfshin sigurinë detare, sigurinë kibernetike, menaxhimin e krizave dhe ngritjen e kapaciteteve.
Liderët riafirmuan angazhimin e tyre për “promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, përfshirë përmes dialogut dypalësh të posaçëm”.
Ata theksuan gjithashtu “rëndësinë e multilateralizmit efektiv dhe të një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla”.



















