Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan u takua të enjten me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, në Kompleksin Presidencial në Ankara, ku të dy liderët diskutuan për marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet rajonale e globale, si dhe morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të pesë marrëveshjeve, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve.
Siç njofton Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes, Erdoğan tha se Türkiye dhe Uzbekistani do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të tyre, të cilat kanë arritur nivelin e partneritetit strategjik të nivelit të lartë, në fusha të ndryshme, veçanërisht në tregti, investime, miniera, transport dhe industrinë e mbrojtjes.
Erdoğn tha se beson që Organizata e Shteteve Turkike (OST) do të vazhdojë të forcohet përmes nismave të reja të bashkëpunimit. Ai shprehu shpresën se Samiti aktual i liderëve të OST-së në Ankara, ku marrin pjesë ai dhe Mirziyoyev, do të shërbejë si një moment i rëndësishëm në këtë proces.
Erdoğan gjithashtu e ftoi Mirziyoyevin në Samitin e liderëve të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike COP31, i cili pritet të mbahet më 11 dhe 12 nëntor në qytetin jugor turk Antalya.
Pas takimit, liderët morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të pesë marrëveshjeve dhe protokolleve ndërmjet dy vendeve.
– Nënshkruhen pesë marrëveshje
Sipas Presidencës turke, marrëveshjet dhe protokollet përfshijnë tregtinë, sigurimet shoqërore, transportin, komunitetin e biznesit dhe bashkëpunimin dypalësh.
Marrëveshja e parë ishte një protokoll shtesë që ndryshon protokollin e 29 marsit 2022 për shkëmbimin e informacionit lidhur me automjetet dhe mallrat që kalojnë kufijtë e të dy vendeve.
E dyta ishte një protokoll që ndryshon marrëveshjen e tregtisë preferenciale ndërmjet Türkiyes dhe Uzbekistanit. E treta ishte marrëveshje për sigurimet shoqërore ndërmjet qeverive të Türkiyes dhe Uzbekistanit.
Marrëveshja e katërt ishte një rregullim administrativ për zbatimin e marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet dy qeverive.
Marrëveshja e pestë ka të bëjë me krijimin e një Këshilli të Nivelit të Lartë për Zhvillimin e Komunitetit të Biznesit ndërmjet qeverive të Türkiyes dhe Uzbekistanit.






















