NEWBORN-i mveshur me tematikë të re: “Shërim, forcim dhe rritje”, reflektohet rrugëtimi i Kosovës

Krijuesi i monumentit, Fisnik Ismaili, ka zbuluar konceptin artistik për këtë vit bazuar në artin tradicional japonez “Kintsugi”, që sipas tij reflekton rrugëtimin e Kosovës gjatë viteve.

By
NEWBORN-i mveshur me tematikë të re: “Shërim, forcim dhe rritje”, reflektohet rrugëtimi i Kosovës / AA

Monumenti i pavarësisë NEWBORN i vendosur në qendër të kryeqytetit Prishtinë, simboli më i njohur i shtetësisë së Kosovës, ka marrë një pamje të re dhe një mesazh të përditësuar me rastin e 18-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Krijuesi i monumentit, Fisnik Ismaili, ka zbuluar konceptin artistik për këtë vit, sipas tij i bazuar në artin tradicional japonez “Kintsugi”, teknikë kjo që simbolizon “shërimin, forcimin dhe rritjen e vlerës pas sfidave dhe vështirësive”.

Mesazhi i këtij koncepti reflekton rrugëtimin e Kosovës gjatë viteve, duke përballuar sfida me qëndrueshmëri dhe duke u forcuar në procesin e zhvillimit të saj.

Monumenti NEWBORN, i vendosur përballë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, është një skulpturë tipografike dhe një pikë referimi simbolike që përkujton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, e cila për pesë vjet qëndroi me pamjen e njëjtë dhe më pas është ringjyrosur çdo vit për t’iu përshtatur temave të ndryshme që nxjerrin në pah situata dhe aspirata të shoqërisë kosovare.

Çdo paraqitje e re e monumentit NEWBORN ka një mesazh artistik dhe social, duke shërbyer si platformë reflektimi për qytetarët dhe vizitorët.

Monumenti ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare që nga shpallja e tij si pjesë e përvjetorit të pavarësisë dhe vazhdon të jetë një nga atraksionet më të vizituara dhe më të diskutueshme kulturore të kryeqytetit kosovar.

NEWBORN-i ka fituar gjithsej shtatë çmime ndërkombëtare, ndër to çmimin më të lartë në botë në fushën e dizajnit, atë të "Luanit të Artë" në Kanë.