Sulmi ndaj Iranit vjen mes negociatave bërthamore. Çfarë pritet të ndodhë më pas?
LINDJA E MESME
3 minuta leximi
Sulmi ndaj Iranit vjen mes negociatave bërthamore. Çfarë pritet të ndodhë më pas?Ekspertë iranianë vlerësojnë ndikimin e sulmit të përbashkët ShBA-Izrael.
Sulmi ndaj Iranit vjen mes negociatave bërthamore. Çfarë pritet të ndodhë më pas? / Reuters
14 orë më parë

Vetëm disa orë para se forcat amerikane dhe izraelite të sulmonin Iranin, ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, dha një vlerësim optimist për bisedimet mes zyrtarëve amerikanë dhe iranianë për t’i dhënë fund ngërçit bërthamor.

Albusaidi, i cili ndërmjetësonte mes delegacioneve amerikane dhe iraniane, njoftoi se të gjitha çështjet do të zgjidheshin “në mënyrë miqësore dhe gjithëpërfshirëse” brenda tre muajve.

Ai i quajti bisedimet e fundit në Gjenevë një moment të “një përparimi shumë të rëndësishëm që nuk është arritur kurrë më parë” mes dy palëve.

Por vetëm disa orë pas këtij njoftimi, forcat amerikane dhe izraelite goditën disa objektiva në Iran, duke përsëritur pothuajse atë që ndodhi pas bisedimeve të qershorit të kaluar mes Teheranit dhe Uashingtonit, të cilat përfunduan me një sulm të përbashkët izraelito-amerikan ndaj Iranit.

“Ushtria e Shteteve të Bashkuara po ndërmerr një operacion masiv dhe të vazhdueshëm për të parandaluar që kjo diktaturë shumë e rrezikshme dhe radikale ta kërcënojë Amerikën dhe interesat tona thelbësore të sigurisë kombëtare”, tha Trump në një mesazh video të shtunën, duke sinjalizuar një operacion të madh kundër Iranit.

“Ne do të shkatërrojmë raketat e tyre dhe do ta rrafshojmë industrinë e tyre të raketave,” shtoi ai, duke pretenduar se Teherani po përpiqej të rindërtonte programin e tij bërthamor pavarësisht sulmit të qershorit, i cili sipas raportimeve kishte dëmtuar rëndë objektet bërthamore iraniane.

Retorika e Trumpit sugjeron se ShBA-ja synon të godasë rezervat e raketave të Iranit, thonë ekspertët.

“U dëgjuan disa shpërthime, me sa duket raketa të lëshuara nga ajri nga hapësira ajrore irakiane”, thotë Ali Akbar Dareini, analist politik me bazë në Teheran.

“Ishin raketa amerikane ‘lundruese’,” thotë Mohammed Eslami, shkencëtar politik në Institutin Universitar Evropian, duke shtuar se “duhet të shohim se çfarë ka ndodhur.”

Pas këtij sulmi shpërthime të shumta u dëgjuan në Katar, Arabinë Saudite, Bahrein dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Kundërpërgjigjja do të varet nga shkalla e goditjes që kanë marrë, por është shumë herët për të thënë diçka”, i tha Eslami TRT World, duke shtuar se Teherani mund të lëvizë për “zgjedhjen e një udhëheqjeje të re nëse është e nevojshme.”

“Irani po përgatitet për hakmarrje dhe një përgjigje shkatërruese ndaj regjimit sionist”, raportoi Tasnim, një agjenci gjysmëzyrtare e lidhur me Gardën Revolucionare Islamike (IRGC), duke iu referuar Izraelit.

Sipas mediave iraniane të lidhura me shtetin, ShBA-ja sulmoi rezidencën e Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei në lagjen Pasteur të Teheranit me të paktën shtatë raketa.

“Ata mund të kenë vrarë sërish zyrtarë të lartë të IRGC-së dhe ushtrisë së rregullt”, thotë Eslami.

“Irani do të nisë breshëri raketash brenda disa orësh, madje edhe minutash,” shton ai.

I pyetur nëse Irani ishte i përgatitur për sulmin ndërkohë që zhvilloheshin bisedimet në Gjenevë, Eslami tha se ndërsa diplomatët mund të kenë shpresuar për një zgjidhje të negociuar, “forcat e armatosura, besoj, ishin të gatshme.”

Një gazetare iraniane me bazë në Teheran, e cila dëshiron të mbetet anonime, parashikon një luftë të gjatë, por thotë se shumë iranianë janë të shqetësuar.

Ajo përshkruan situatën në Teheran duke thënë se “disa njerëz kanë filluar të thërrasin slogane kundër qeverisë në rrugë.”

Megjithatë, ajo shton se “Republika Islamike do të mbijetojë. Në çfarë gjendjeje, nuk mund ta them, por nuk do të tërhiqen. Edhe nëse duhet ta vënë gjithë rajonin në flakë, do ta bëjnë.”

Eslami i përshkruan protestuesit kundër qeverisë si “një pjesë të vogël të popullsisë iraniane”, një “pakicë e zhurmshme”, ndërsa shumica e heshtur e vendit do të “bashkohet rreth flamurit.”

“Në këtë moment, do të ishte shumë e paarsyeshme që opozita të mblidhej në rrugë. Qeveria do t’i shtypte,” thotë ai.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë