Irani akuzon ShBA-në dhe Izraelin për dërgimin e anëtarëve të DAESh-it për të kryer sulme
Shefi i ushtrisë thotë se sulmet kishin në shënjestër civilë dhe forcat e sigurisë.
Komandanti më i lartë ushtarak i Iranit akuzoi të martën Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin se kanë dislokuar anëtarë të grupit terrorist DAESh brenda vendit për të kryer sulme ndaj civilëve dhe personelit të sigurisë.
Abdolrahim Mousavi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Iranit, tha se ky veprim erdhi pas asaj që ai e përshkroi si dështim të Uashingtonit dhe Tel Avivit në një “luftë 12-ditore” të fundit kundër Iranit, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.
Mousavi tha se anëtarët e DAESh-it, të cilët i quajti “mercenarë”, u dërguan në vend për të kryer sulme të dhunshme që kishin në shënjestër si publikun iranian ashtu edhe forcat e sigurisë.
“Irani nuk do të tolerojë asnjë shkelje të sovranitetit apo integritetit të tij territorial,” tha ai, duke shtuar se forcat e sigurisë kanë vepruar me përmbajtje në trajtimin e protestave, por nuk do të lejojnë që “elemente terroriste” të veprojnë në rrugë.
As ShBA-ja dhe as Izraeli nuk reaguan ndaj akuzave.
Irani është tronditur nga protesta antiqeveritare që nga muaji i kaluar, mes përkeqësimit të kushteve ekonomike dhe zhvlerësimit rekord të monedhës kombëtare, rialit, i cili ka rënë në 145.000 kundrejt dollarit amerikan, duke rritur çmimet e mallrave bazë.
Zyrtarët iranianë kanë akuzuar ShBA-në dhe Izraelin për mbështetjen e asaj që ata i quajnë “rebelë të armatosur” në vend.
Nuk ka shifra zyrtare për viktimat, por Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (HRANA), një organizatë me bazë në ShBA, vlerëson se numri i të vdekurve ka arritur të paktën 646, përfshirë si forcat e sigurisë ashtu edhe protestuesit, ndërsa mbi 1.000 persona janë plagosur.
HRANA raportoi gjithashtu se të paktën 10.721 persona janë ndaluar gjatë protestave në 585 lokacione në mbarë vendin, përfshirë 186 qytete në të 31 provincat.