Vendet arabe dhe islame dënojnë sulmet e Iranit, bëjnë thirrje për qetësim të situatës
Takimi i ministrave të Jashtëm në Riad bën thirrje për ndalimin e sulmeve, respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe paralajmëron ndaj kërcënimeve për rrugët detare kryesore.
Vendet arabe dhe islame dënuan ashpër sulmet “e qëllimshme” me raketa balistike dhe dronë të Iranit, duke bërë thirrje për ndalim të menjëhershëm dhe respektim të së drejtës ndërkombëtare, thuhet në një deklaratë të përbashkët të publikuar të enjten.
Ministrat e Jashtëm të Türkiyes, Azerbajxhanit, Bahrejnit, Egjiptit, Jordanisë, Kuvajtit, Libanit, Pakistanit, Katarit, Arabisë Saudite, Sirisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe u mblodhën në Riad më 18 mars për të diskutuar sulmet e fundit iraniane dhe përshkallëzimin më të gjerë rajonal.
Ministrat thanë se sulmet shënjuan zona civile dhe infrastrukturë në vendet fqinje, duke theksuar se veprime të tilla nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Ata potencuan se shtetet kanë të drejtë të mbrohen në përputhje me nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, ndërsa i bënë thirrje Iranit të ndalë sulmet dhe të promovojë diplomacinë për të ulur tensionet.
Ministrat i kërkuan Teheranit gjithashtu që të përmbahet nga kërcënimi i lundrimit ndërkombëtar në Ngushticën e Hormuzit dhe sigurisë detare në Bab al-Mandab, si dhe të ndalë mbështetjen, financimin dhe armatosjen e grupeve të milicisë që kanë lidhje me të, në vendet arabe.
Ata riafirmuan mbështetjen për sovranitetin, stabilitetin dhe integritetin territorial të Libanit, duke mbështetur përpjekjet për kufizimin e armëve vetëm te shteti, si dhe dënuan sulmet e Izraelit ndaj Libanit dhe politikat ekspansioniste të tij në rajon.