Futbollistja e kombëtares iraniane që mori azil në Australi, kërkon të kthehet në shtëpi
Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke e konfirmoi zhvillimin në fjalë, duke thënë se futbollistja kontaktoi zyrtarët në Ambasadën Iraniane, të cilët e morën atë nga hoteli ku ajo kishte qëndruar.
Një nga shtatë anëtaret e ekipit kombëtar të futbollit të femrave të Iranit, të cilave iu dha azil nga qeveria australiane, ka ndryshuar mendje dhe ka kërkuar të kthehet në Iran, raportoi sot Korporata Australiane e Transmetimeve.
Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke e konfirmoi zhvillimin, duke thënë se gruaja kontaktoi zyrtarët në Ambasadën Iraniane, të cilët e morën atë nga hoteli ku ajo kishte qëndruar me anëtarët e tjerë të delegacionit që vendosën të qëndronin në Australi.
Ai tha se zyrtarët folën me lojtaren që e ndryshoi vendimin e saj për t'u "siguruar që ishte vendimi i saj" dhe se asaj "iu bë çdo pyetje që do të ishte e nevojshme t'i bëhej". Burke shtoi se ai udhëzoi autoritetet të zhvendosnin pjesëtarët e mbetur të ekipit pasi Ambasada Iraniane mësoi vendndodhjen e tyre.
Presidenti i Federatës së Futbollit të Iranit tha se Australia ushtroi presion mbi anëtaret e ekipit kombëtar të femrave që të kërkonin azil.
Vizat mbrojtëse u dhanë të martën, një ditë pasi presidenti i ShBA-së, Donald Trump i kërkoi Australisë të ofronte azil për anëtaret e ekipit kombëtar të futbollit të femrave të Iranit, duke thënë se lojtaret mund të përballeshin me rrezik serioz nëse detyroheshin të ktheheshin në shtëpi.
Ekipi kombëtar i futbollit të femrave të Iranit garoi në Kupën Aziatike të Femrave "AFC 2026", të organizuar në Australi, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare pasi lojtaret organizuan një protestë të heshtur kundër qeverisë së Teheranit duke qëndruar në heshtje gjatë himnit kombëtar para ndeshjes së tyre hapëse.
Ekipi u eliminua më vonë nga turneu.