Miratohet deklarata e përbashkët e Tiranës për Korridorin VIII
Në përfundim të ministerialit u miratua një deklaratë e përbashkët, ndërkohë ministrja Spiropali, ministri Tajani, ministri Mucunski dhe zëvendësministri Pavllov mbajtën konferencë të përbashkët për mediat.
Në Shqipëri u mbajt sot Ministeriali i Korridorit VIII, me fokus diskutimet mbi avancimin e bashkëpunimit në fushën e ndërlidhjes, qëndrueshmërisë dhe integrimit rajonal, ndërkohë në përfundim të ministerialt u miratua edhe një deklaratë e përbashkët.
Në përfundim të ministerialit, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, zëvendëskryeministri dhe ministri për Punët e Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski dhe zëvendësministrit i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavllov mbajtën konferencë të përbashkët për mediet.
Korridori VIII ka domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë"
Sipas deklaratës së përbashkët të miratuar sot, Korridori VIII ka domethënie strategjike me rëndësi politike, ekonomike dhe të sigurisë, "duke kontribuar në kohezionin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian".
"Nënvizojmë se zbatimi i koordinuar dhe në kohë i Korridorit VIII adreson boshllëqet e kahershme të ndërlidhjes në Evropën Juglindore, duke rritur njëkohësisht besueshmërinë, vizibilitetin dhe ndikimin e prekshëm të angazhimit të shtuar të BE-së për integrimin e plotë të rajonit në hapësirën e përbashkët evropiane të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit. Theksojmë se ky projekt strategjik infrastrukturor përbën një kuadër kyç për ndërtimin e besimit politik, forcimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe thellimin e kontakteve ndërmjet njerëzve, veçanërisht mes të rinjve", thuhet në deklaratën e përbashkët.
Gjithashtu, thuhet se dënohet fuqishëm "lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës" dhe mbështesim përpjekjet ndërkombëtare politike dhe diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje "që i jep fund konfliktit".
"Pranojmë se Ballkani Perëndimor dhe rajoni i Detit të Zi përbëjnë tregje dhe zona tranziti të rëndësishme për tregtinë evropiane dhe ndërkombëtare. Nënvizojmë se Korridori VIII është një projekt themelor infrastrukturor që lehtëson flukset tregtare. Rikonfirmojmë angazhimin tonë të fortë ndaj Korridorit VIII si prioritet për rritjen e lëvizshmërisë ushtarake, qëndrueshmërisë dhe ndërlidhjes, në kuadër të bashkëpunimit të forcuar BE–NATO, duke kontribuar drejtpërdrejt në sigurinë e krahëve juglindorë dhe lindorë të Aleancës, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë krize dhe konflikti", thekson deklaratë.
Deklarata e Tiranës
Spiropali tha gjatë konferencës për mediat se në ministerial, fokusi u vendos tek progresi në praktikë për Korridorin VIII.
"Hekurudha duhet të lidhet me hekurudhën, rruga me rrugën, dhe portet duhet të lidhen siç duhet me zonat e tyre të ndikimit ekonomik/zonat e brendshme të shërbimit, pa vonesa apo pengesa strukturore. Për herë të parë, po harmonizojmë afatet kohore dhe prioritetet përgjatë gjithë korridorit", tha Spiropali.
Ajo tha se qëllimi është që ta bëjnë Korridorin 8 një korridor të vërtetë evropian, dhe sipas saj jo vetëm një vijë në hartë. "Në këtë frymë, miratuam deklaratën e përbashkët të Tiranës për Korridorin VIII, e cila pasqyron angazhimin tonë të përbashkët politik dhe forcon bashkëpunimin ndërinstitucional", tha ajo.
Tajani theksoi se Ballkani Perëndimor ka një rëndësi strategjike për Italinë. "Korridori 8 është i një rëndësie thelbësore për Italinë, është një përparësi e qartë. Ne kemi miratuar sot një deklaratë të përbashkët sepse ne duhet të hapim rrugën për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë ndërmjet vendeve tona për zbatimin e punës në këtë korridor. Korridori 8 është një nga aspektet më të rëndësishme evropiane. Ne duhet të punojmë fort në këtë drejtim, për rëndësinë staregjike që ka ky projekt", tha Tajani.
Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski u shpreh se Korridori 8 mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse i sjellin të gjithë aktorët kyç në këtë nismë.
"Korridori VIII është një lidhje strategjike midis Detit Adriatik dhe Detit të Zi. Në botën e sotme, ndërlidhshmëria nuk është thjesht një slogan, është një fuqi, është një pikë e fortë. Diskutimet tona ishin shumë të hapura dhe të drejtpërdrejta. Për vendin tim angazhimi është i qartë, jemi në qendër të korridorit VIII", tha Mucunski.
Zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Nikolay Pavlov theksoi se aktiviteti i sotëm është tërësisht në përputhje me objektin e përbashkët strategjik, për ta forcuar sipas tij ndërlidhshmërinë, bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë kolektive.
"Vendi im vlerëson fort angazhimin e madh politik të dëshmuar sot nga partnerët tanë. Ndërtimi i Korridorit VIII ka qenë përparësi më rëndësi kombëtare për Bullgarinë gjithmonë. Në mjedisin aktual gjeopolitik, Korridori VIII mbart rëndësi specifike të mbrojtjes dhe sigurisë. Bullgaria mbetet tërësisht e përkushtuar për të realizuar të gjithë komponentët e Korridorit VIII", tha Pavllov.
Në kuadër të ministerialit, do të zhvillohet edhe forumi ekonomik për Korridorin VIII me temë: "Nga lidhja strategjike drejt rritjes ekonomike rajonale: Potenciali ekonomik i Korridorit VIII".