Studentët universitarë në shtetin amerikan të Nju Jorkut gjithnjë e më shumë e lidhin fjalën “gjenocid” me Izraelin, duke nxjerrë në pah një ndryshim në perceptimin e vendit në arenën ndërkombëtare mes të rinjve amerikanë.
Operacionet ushtarake, marrja e tokave dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar kanë bërë që shumë njerëz të vënë në pikëpyetje legjitimitetin ndërkombëtar të Izraelit.
Intervistat e zhvilluara në New York University (NYU) dhe Columbia University në Manhattan treguan asociacione të ngjashme kryesore te të rinjtë.
Samuel, student në NYU, tha për Anadolu se mendimi i tij i parë është gjenocidi që kryeministri Benjamin Netanyahu po kryen ndaj popullit palestinez. Ai renditi tre asociacionet e tij kryesore si “Netanyahu, gjenocid dhe Palestinë”.
Një studente tjetër e NYU-së, Maddy, me një shprehje të shqetësuar në fytyrë kur u përmend fjala Izrael, tha se fjala që i erdhi më fort në mendje ishte “gjenocid”.
Ajo e cilësoi këtë asociacion si “të frikshëm”, duke shpjeguar se perceptimi i saj për Izraelin është ai i një vendi që përdor fuqinë e tij ushtarake kundër njerëzve që janë dukshëm më të dobët.
Një grup studentësh që po mblidhnin ndihma për një shoqatë universitare refuzuan të komentojnë dhe u tërhoqën nga intervista pasi mësuan se tema ishte Izraeli.
Ndryshimi në perceptim vjen pas një vlerësimi të fundit të ish-kryeministrit izraelit, Naftali Bennett, lidhur me imazhin e vendit në ShBA.
“Për herë të parë që nga themelimi i shtetit të Izraelit, mes publikut amerikan, Izraeli është bërë një markë negative”, tha Bennett në një intervistë të fundit.
“Nëse e pyet një student amerikan, 'Ç'farë të vjen në mendje kur përmendet Izraeli?', ai thotë gjenocid. Kjo është situata”, tha Bennett.
Duke e krahasuar me mënyrën se si vendet zakonisht lidhen me simbole, ai shtoi: “Thua Itali kuptohen ‘makarona, spageti’. Thua Izrael kuptohet ‘vrasës të foshnjave’.”
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 73.300 palestinezë janë vrarë dhe mbi 174.200 janë plagosur që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza në tetor 2023.
Netanyahu dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, përballen gjithashtu me urdhërarreste të lëshuara nga Gjykata Penale Ndërkombëtare nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Afrika e Jugut nisi procedurat ligjore kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë më 29 dhjetor 2023, duke e akuzuar për shkelje të Konventës së Gjenocidit të vitit 1948.























