| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Të pandehurit për tragjedinë në Koçan nuk pranojnë fajësinë, gjykimi vazhdon më 4 dhjetor
Avokatët e mbrojtjes theksuan se klientët e tyre nuk ndërmorën asnjë veprim që do të kishte lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen tragjike dhe se posedonin dokumentacion të vlefshëm.
Të pandehurit për tragjedinë në Koçan nuk pranojnë fajësinë, gjykimi vazhdon më 4 dhjetor
Të pandehurit për tragjedinë në Koçan nuk pranojnë fajësinë, gjykimi vazhdon më 4 dhjetor / TRT Balkan
2 Dhjetor 2025

Të gjithë të pandehurit për zjarrin në lokalin e natës në Koçan, ku humbën jetën 63 persona, në seancën e sotme në sallën e gjyqit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për krimet për të cilat ngarkohen.

Disa prej të pandehurve u shprehën ngushëllime familjeve të viktimave dhe theksuan se e kuptojnë akuzën, por nuk e pranuan fajësinë për “krime të rënda kundër sigurisë publike”.

Avokatët e mbrojtjes theksuan se klientët e tyre nuk ndërmorën asnjë veprim që do të kishte lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen tragjike dhe se posedonin dokumentacion të vlefshëm.

Ata gjithashtu paralajmëruan paraqitjen e provave dhe dëshmitarëve të cilët, sipas tyre, do të konfirmojnë se të pandehurit nuk janë përgjegjës për zjarrin dhe se tragjedia është rezultat i dështimeve institucionale, jo faj i personelit.

Gjykimi po zhvillohet nën masa të përforcuara të sigurisë, me praninë e të pandehurve, të afërmëve të viktimave, prokurorisë, mbrojtjes dhe publikut.

Në bankën e të akuzuarve u ulën 37 persona, prej tyre pronarë, menaxherë, inspektorë, ish-kryetar komune, roje të sigurisë dhe nëpunës civilë.

Prokuroria, e përfaqësuar nga një ekip prej 15 prokurorësh publik, njoftoi se provat do të tregojnë se lokali i natës “Pulse”, ku ndodhi incidenti tragjik, ishte një kurth vdekjeprurës që nga fillimi, rezultat i neglizhencës sistematike dhe dështimeve institucionale.

Gjykimi do të vazhdojë më 4 dhjetor me deklaratat hapëse nga mbrojtja e të pandehurve të mbetur.

Në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, në qytetin e Koçanit shpërtheu një zjarr në një lokal nate si pasojë e lëndëve piroteknike gjatë një mbrëmjeje argëtuese, ku si pasojë humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 të tjerë mbetën të plagosur.

Nga hetimet e para pas incidentit rezultoi se objekti në fjalë vepronte me licencë të rreme dhe me vite ka funksionuar pa i plotësuar standardet e kërkuara.


BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë