Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se në mbledhjen e Grupit Parlamentar të partisë që ai udhëheq, gjashtë deputetë kanë thënë se nuk do ta votojnë për president kandidatin e propozuar Bekim Sejdiu.
Abdixhiku tha se deputetët Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Armen Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri kanë thënë se nuk do të votojnë për Sejdiun.
Ai theksoi se po humbet një mundësi e jashtëzakonshme për Kosovën dhe po dërgohet vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme.
“Kjo nuk ishte betejë me mua, beteja me mua përfundoi në Kuvendin e LDK-së. Ishte betejë për Republikën e Kosovës. Profesor doktor Bekim Sejdiu është kandidat i shkëlqyeshëm i propozuar nga LDK-ja dhe siguronte balancë institucionale e do të ndalonte çdo tendencë të shkeljes së Kushtetutës dhe do ta mbronte Kushtetutën edhe prëballë pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje. Konsideroj se fatkeqësisht pozicioni kundër vendimit të Kryesisë e kundër LDK-së është i dëmshëm për Republikën e patjetër për LDK-në”, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se çdo palë zgjedhje të ardhshme, për shkak të këtyre refuzimeve, do të jenë me pasoje edhe për rezultatet e ardhshme zgjedhore.
Dje, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe LDK-ja u dakorduan për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president të ri të vendit.
LVV-ja i ka votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë, por i duhet mbështetja edhe e deputetëve të LDK-së për votimin e presidentit të ri.
LDK hoqi dorë nga çdo kusht për mbështetjen e formimit të institucioneve të reja me kushtin e vetëm që kandidati i ardhshëm për president të jetë konsensual.





















