| Albanian
RAJONI
2 minuta leximi
Gjenerali italian Roberto Vergori merr detyrën e Komandantit të KFOR-it
Wikoff ka thënë se për më shumë se 27 vjet, pjesëtarë të KFOR-it nga mbi 31 shtete kanë shërbyer në Kosovë, duke kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve.
Gjenerali italian Roberto Vergori merr detyrën e Komandantit të KFOR-it
Gjenerali italian Roberto Vergori merr detyrën e Komandantit të KFOR-it

Gjenerali italian Roberto Vergori ka marrë zyrtarisht detyrën e Komandantit të Misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR.

Komandantit Vergori ia dorëzoi detyrën komandanti turk i deritanishëm i KFOR-it, Ozkan Ulutas me një ceremoni e cila u zhvillua në Kampin e KFOR-it “Film City”, në Prishtinë, në praninë e presidentes kosovare Justina Shiroka-Pula, kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentares Albulena Haxhiu dhe udhëheqësve tjerë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Presidentja Shiroka-Pula e ka falënderuar KFOR-in për ruajtjen e paqes në vend tash e 27 vjet, duke thënë se me mbështetjen e KFOR-it janë fuqizuar institucionet e sigurisë së Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova synon të avancojë rrugën drejt anëtarësimit në NATO, duke vënë në pah rëndësinë e Partneritetit për Paqe dhe bashkëpunimit me aleatët ndërkombëtarë.

“Në arkitekturën tonë të sigurisë, KFOR-i vazhdon të ketë një rëndësi të veçantë, prania e tij mandati dhe bashkëpunimi me institucionet vendore kontribuojnë në sigurinë e përgjithshmë dhe në besimin e qytetarëve. Synimi ynë për anëtarësimin në NATO mbetet i qartë. Ne synojmë që një ditë Kosova të mos jetë vetëm përfituese e sigurisë por edhe kontribuese e drejtpërdrejtë në të”, theksoi Shiroka-Pula.

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), admirali George M. Wikoff, ka thënë se për më shumë se 27 vjet, pjesëtarë të KFOR-it nga mbi 31 shtete kanë shërbyer në Kosovë, duke kontribuar në sigurinë e të gjitha komuniteteve.

Komandanti i deritanishëm turk i KFOR-it, Ozkan Ulutas, nëpërmjet një fjalimi në ceremoni, tha se ndihet i nderuar nga besimi që i është dhënë për të shërbyer në krye të misionit më të gjatë dhe aktualisht më të madh në historinë e NATO-s.

“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjithë njerëzit në Kosovë ndajnë një shpresë të përbashkët për një karakter paqësor dhe të begatë. KFOR-i ka luajtur rolin e tij në këtë drejtim, përfshirë edhe vazhdimin e ofrimit të hapësirës së sigurisë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës”, theksoi Ulutas.

Ai shtoi se Kosova duhet të ndjekë zgjidhje të qëndrueshme që respektojnë të drejtat e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.

Komandanti i ri i KFOR-it, Vergori, do të jetë në krye të KFOR-it për mandat njëvjeçar.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë