Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretin për hapjen e Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Zyra e Presidentes njofton se Haxhiu ka thënë se mërgata kosovare ka pasur rol kyç në çdo kapitull të historisë së vendit, nga rezistenca deri tek shtetndërtimi.
“Ky është një hap i rëndësishëm për bashkatdhetarët tanë në Teksas dhe në rajonin përreth, por edhe mirënjohje për mërgatën tonë në Amerikë, e cila për dekada ka punuar, ka ndihmuar, ka lobuar dhe ka qëndruar pranë Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Sipas Haxhiut, me këtë mision, Kosova bëhet më e afërt për qytetarët e saj dhe më e pranishme në një nga qendrat më të rëndësishme ekonomike e shoqërore të Amerikës.























