Protesta kundër qeverisjes në vend, mbi çështjen e projektit turistik në zonën e Zvërnecit në Qarkun e Vlorës dhe kundër ndërtimeve në zona të mbrojtura, është zhvendosur sot para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë (SPAK).
Pjesë e protestës të organizuar në kuadër të protestave të fundit, ishin aktivistë dhe qytetarë, të cilët kanë dorëzuar në prokurori librin e njohur si “The Albanian Files”, që sipas tyre shërben si provë për të hetuar projektet e resorteve në Shqipëri dhe projekte të ndërtimeve të ndryshme në vend.
Pjesëmarrësit në protestë kanë deklaruar se kërkojnë një shtet të së drejtës, ku sipas tyre kryeministri i vendit të trajtohet dhe hetohet si të gjithë qytetarët. Raportohet se “The Albanian Files Freedom and Architecture” është një libër voluminoz mbi arkitekturën, i botuar nga shtëpia botuese zvicerane "Lars Muller Publishers".
Sipas mediave, libri përmbledh projektet, skicat, idetë dhe reflektimet e 60 studiove dhe arkitektëve ndërkombëtarë që kanë punuar në Shqipëri gjatë dy dekadave të fundit. Botimi në fjalë ka shkaktuar reagime të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj, ku pretendohet se tregon shkeljet që janë bërë në Shqipëri për projekte të ndryshme në vend.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme u mbajt protestë mbi çështjet në fjalë edhe para sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë, e cila u shoqërua me tensione. Sipas organizatorëve, protesta me moton "Shqipëria nuk është në shitje" do të mbahet edhe gjatë ditës së sotme në orët e pasdites.




















