Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski deklaroi të martën se presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar t'i japë Ukrainës licenca për prodhimin e sistemeve raketore Patriot.
Në një intervistë për Fox News, Zelenski tha se të dy liderët vazhduan bisedimet e nisura më herët këtë muaj në samitin e NATO-s në Ankara.
"Në Ankara nisëm bisedimet për t'i dhënë Ukrainës licenca për prodhimin e sistemeve Patriot. Kjo është e rëndësishme sepse na duhen më shumë prej tyre dhe sa më shpejt të jetë e mundur", tha Zelenski.
Ai shtoi se gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump e ka pranuar këtë kërkesë.
"Sot patëm një takim shumë të mirë me presidentin Trump. Ai pranoi të na japë licencat", tha presidenti ukrainas.
Zelenski tregoi se pas takimit me Trump, u takua edhe me drejtues të kompanive kryesore amerikane të industrisë ushtarake, për të diskutuar një prodhim të mundshëm të përbashkët të pajisjeve ushtarake.
"Shpresoj që të vendosim një prodhim të përbashkët. Kjo është shumë e rëndësishme", tha ai për Fox News.
Më herët gjatë ditës, duke iu drejtuar gazetarëve në Kongresin amerikan, Zelensky deklaroi se me Trump dhe senatorët amerikanë kishte biseduar edhe për nevojat urgjente të Ukrainës në fushën e mbrojtjes ajrore.
"Problemi i vërtetë janë sistemet dhe raketat kundër-balistike. Sigurisht, kam shpjeguar se çfarë na nevojitet dhe këtë ia kam përcjellë sot presidentit", tha Zelenskiy.






















