Izraeli e njeh si shtet të pavarur rajonin e shkëputur të Somalisë, Somaliland
“Unë shpalla sot zyrtarisht njohjen e Republikës së Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran”, tha në një deklaratë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Izraeli e njohu sot rajonin separatist të Somalisë, Somalilandin, si shtet të pavarur dhe sovran, një veprim që pritet të sjellë një valë reagimesh dënuese në rajon.
“Unë shpalla sot zyrtarisht njohjen e Republikës së Somalilandit si shtet të pavarur dhe sovran”, tha në një deklaratë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Sipas deklaratës, Netanyahu, së bashku me ministrin e Jashtëm Gideon Sa’ar dhe presidentin e Somalilandit Abdirahman Mohamed Abdullahi, “nënshkruan një deklaratë të përbashkët dhe reciproke”.
“Kjo deklaratë është në frymën e Akordeve Abrahamike, të nënshkruara me nismën e Presidentit Trump”, ka thënë ai.
Akordet Abrahamike janë marrëveshje të nënshkruara në vitin 2020 midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Sudanit dhe Marokut për normalizimin e marrëdhënieve.
Sipas deklaratës, Netanyahu e ka ftuar presidentin e Somalilandit për një vizitë zyrtare në Izrael.
Nuk pati menjëherë ndonjë reagim nga qeveria somaleze lidhur me deklaratën e Netanyahut.
Somalilandi, i cili ka qenë pa njohje zyrtare që prej shpalljes së pavarësisë nga Somalia në vitin 1991, funksionon si një ent de fakto i pavarur administrativ, politik dhe i sigurisë, me qeverinë qendrore që nuk arrin të ushtrojë kontroll mbi rajonin dhe me udhëheqjen e tij që nuk ka mundur të sigurojë njohje ndërkombëtare të pavarësisë.
Qeveria somaleze refuzon ta njohë Somalilandin si shtet të pavarur, e konsideron atë pjesë integrale të territorit të saj dhe çdo marrëveshje direkte apo angazhim me të e sheh si shkelje të sovranitetit dhe unitetit të Somalisë.