Në Prishtinë është mbajtur ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të zyrtarëve të rinj të Policisë së Kosovës.
Gjithsej 397 kadetë të rinj, nga të cilët 118 gra dhe 279 burra, i janë bashkuar Policisë së Kosovës nga kjo gjeneratë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila mori pjesë në ceremoninë e diplomimit, tha se të diplomuarit po marrin përsipër një nga përgjegjësitë më të rëndësishme ndaj Republikës së Kosovës, mbrojtjen e sigurisë, jetës dhe të drejtave të qytetarëve.
"Ju po hyni në një me institucion që ka një vend të veçantë në historinë tonë të re. Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999, menjëherë pas përfundimit të luftës, kur vendi ynë po niste të ndërtonte institucionet e veta. Nga një shërbim policor i sapokrijuar, ajo u zhvillua në një institucion profesional të Republikës së Kosovës, duke marrë përsipër përgjegjësi gjithnjë e më të mëdha për rendin dhe sigurinë, e më pas edhe për mbrojtjen e sovranitetit të vendit", theksoi ajo.
Haxhiu theksoi se guximi i një polici nuk dëshmohet vetëm në përballje me rrezikun, por edhe në veprimin e drejtë, mosshpërdorimin e autoritetit dhe mbrojtjen e ligjit pa dallim.
Sipas saj, Kosova ka nevojë për një polici të fuqishme, profesionale dhe të pajisur me teknologji bashkëkohore, për t'iu përgjigjur sfidave të sigurisë, përfshirë krimin kibernetik, krimin e organizuar dhe trafikimin me qenie njerëzore.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje zyrtarëve të rinj policorë që gjatë ushtrimit të detyrës t’i kenë prioritet integritetin, profesionalizmin dhe përgjegjësinë.
“Përfaqësimi i këtij institucioni është ndër përgjegjësitë më të larta që mund dhe duhet t’ju besohet juve. Shërbimi me integritet dhe profesionalizëm duhet të mbeten përherë prioritet. E vyrtytet, ideali dhe diciplina sigurisht që janë forcuar. Gjatë kësaj periudhe ju keni kaluar etapa të provave, sfidave e të mënyrave se si duhet qasur secilën situatë dhe menaxhuar çdo detyrë. Asnjëherë mos i harroni mësimet dhe udhëzimet të cilat do t’ju udhëheqin gjatë mandatit dhe shërbimit tuaj”, tha Kurti.
Në mesin e të diplomuarve të kësaj gjenerate u bë e ditur se janë edhe Sokol Zymberi dhe Jetlum Bunjaku, djemtë e zyrtarëve policorë që ranë në krye të detyrës, Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.
Kryeministri ka përmendur edhe mbështetjen e Qeverisë për Policinë e Kosovës, duke thënë se gjatë pesë viteve të fundit buxheti për këtë institucion është rritur për më shumë se 50 për qind, ndërsa shtoi se për pajisjen e Policisë me automjete dhe autoblinda të reja janë shpenzuar rreth 8 milionë euro.























