Është hapur në Kosovë Panairi i produkteve vendore "Gratë në biznes".
Në sheshin "Nëna Terezë" në Prishtinë dhjetra gra nga rajone të ndryshme të Kosovës u bënë bashkë për të promovuar produkte dhe punime të ndryshme, përfshirë ushqime tradicionale, veshje, instrumente muzikore dhe punime artizanale.
Në hapje të panairit i cili organizohet nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), mori pjesë edhe ministrja në detyrë Mimoza Kusari-Lila, e cila tha se Qeveria ka punuar intensivisht për fuqizimin e ekonomik të grave.
"Qeveria e Kosovës intensivisht gjatë mandatit të kaluar ka punuar në fuqizimin ekonomik të grave. Nga numri i tërësishëm i të punësuarve sa ishin në vitin 2019, 303 mijë, numri zyrtar i të punësuarve është rritur në 410 mijë, prej tyre mbi 53 mijë janë gra dhe vajza të reja që kanë hyrë në tregun e punës", theksoi Kusari-Lila.
Kusari-Lila tha se me nisma sikur kjo ku ngritet vetëdija për rëndësinë e blerjes së produkteve vendore, synohet fuqizimi ekonomik i vendit, rritja e prodhimit vendor dhe ndihma për gratë dhe vajzat në tregun e punës.
Përpos promovimit të bizneseve dhe shoqatave të udhëhequra nga gratë dhe produkteve që këto biznese ofrojnë në fushat e tyre përkatëse, ky panair ka për qëllim edhe inkurajimin e ndërmarrësisë dhe rrjetëzimin të gratë ndërmarrëse me qëllim të fuqizimit sa më të madh të tyre në shoqëri dhe në biznes.


















