Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mirëpriti të hënën forcimin e bashkëpunimit detar mes Rumanisë, Bullgarisë dhe Türkiyes, duke bërë thirrje për hapa urgjentë drejt vënies në funksion të Qendrës së Sigurisë Detare të Detit të Zi.
“Duhet ta vëmë në funksion Qendrën e Sigurisë Detare të Detit të Zi”, deklaroi von der Leyen gjatë një konference të përbashkët për media me presidentin rumun, Nicușor Dan, në Bukuresht.
Ajo përshëndeti “bashkëpunimin më të ngushtë detar” mes tri vendeve, duke theksuar se BE-ja duhet të veprojë me ndjenjë urgjence për përballimin e sfidave të mbrojtjes dhe sigurisë.
“Situata e sigurisë në Detin e Zi është përkeqësuar, veçanërisht gjatë javëve të fundit, me sulme me dronë ndaj anijeve tregtare pranë brigjeve tuaja, ku marinarë të pafajshëm kanë humbur jetën, ndërsa të tjerë rezultojnë ende të zhdukur në det”, tha ajo.
Von der Leyen bëri thirrje për rivendosjen dhe ruajtjen e lirisë së lundrimit në Detin e Zi, duke e theksuar rëndësinë e saj për Evropën, ekonominë e Ukrainës dhe sigurinë globale ushqimore.
Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për forcimin e mbikëqyrjes detare dhe të sigurisë së bllokut evropian në hapësirën e informacionit.
“Aktorët armiqësorë po e përdorin hapësirën e informacionit si armë dhe incidentet me dronë shpesh shoqërohen me manipulim dhe ndërhyrje të huaja në informacion”, paralajmëroi ajo.
“Ata synojnë vazhdimisht qytetarët dhe demokracitë tona, duke përhapur frikë dhe pasiguri”, shtoi von der Leyen.
Presidentja e Komisionit Evropian theksoi se Evropa duhet të forcojë kapacitetet e saj për t'iu përgjigjur krizave përgjatë kufijve.
“Kam kënaqësinë të njoftoj një financim shtesë prej 10 milionë eurosh (11,2 milionë dollarë) për autoritetet rumune, për operacionet e kërkim-shpëtimit”, tha ajo.
“Kjo do të mbështesë kapacitetet tuaja për t'iu përgjigjur incidenteve të tilla në mënyrë të shpejtë dhe efektive”, shtoi von der Leyen.
BE-ja mbështet bisedimet e paqes për Ukrainën në Abu Dabi
Duke iu referuar negociatave të ardhshme të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dabi, të ndërmjetësuara nga ShBA-ja, von der Leyen rikonfirmoi mbështetjen evropiane për Kievin.
Ajo tha se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kishte kërkuar mbështetjen e partnerëve evropianë për negociatat dhe se blloku po ia ofronte atë.
“Fokusi i këtyre bisedimeve të paqes është përfundimi i luftës së Rusisë në Ukrainë. Ky duhet të jetë qëllimi”, theksoi ajo.
Von der Leyen tha se BE-ja po punon gjithashtu për një plan prosperiteti të pasluftës, me synimin për të mbështetur stabilitetin dhe rindërtimin e Ukrainës.
“Çdo diskutim kuptimplotë mbi arkitekturën e sigurisë evropiane mund të zhvillohet vetëm pasi të jetë arritur një armëpushim në Ukrainë”, deklaroi ajo.
Sipas saj, diskutime të tilla duhet të zhvillohen në një forum të përshtatshëm, veçanërisht me aleatët e NATO-s dhe vendet anëtare të BE-së.
Moska ka këmbëngulur që negociatat e ndërmjetësuara nga ShBA-ja të mbeten rreptësisht trepalëshe, me pjesëmarrjen e Rusisë, Ukrainës dhe ShBA-së, pa përfshirje të drejtpërdrejtë evropiane.
Bisedimet në Abu Dabi, të planifikuara për të martën dhe të mërkurën, do të shënojnë raundin e katërt të negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës, të ndërmjetësuara nga ShBA-ja nën administratën Trump.
Ato do të jenë gjithashtu takimet e para të këtij formati që nga raundi i mëparshëm i zhvilluar në Gjenevë në shkurt.























