Mbi 2.500 të vdekur ndërsa protestat në Iran vazhdojnë
Deri në ditën e 17-të të protestave mbarëkombëtare në Iran janë arrestuar gjithsej 18.434 persona, sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA) me bazë në ShBA.
Numri i të vdekurve nga protestat në Iran është rritur në 2.550, përfshirë 2.403 protestues dhe 147 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe mbështetës të qeverisë, njoftoi Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në ShBA.
Në ditën e 17-të të protestave mbarëkombëtare në Iran, janë regjistruar 614 tubime proteste në 187 qytete, që përfshijnë të gjitha 31 provincat e vendit, sipas të dhënave të përpiluara nga HRANA.
HRANA raportoi gjithsej 18.434 arrestime, 1.134 raste lëndimesh të rënda dhe 97 raste të rrëfimeve të detyruara të transmetuara publikisht.
Megjithatë, nuk ka shifra zyrtare gjithëpërfshirëse për viktimat gjatë këtyre protestave.
Ndërprerja e komunikimit në vend vazhdon, duke arritur në 132 orë pa internet, raportoi të mërkurën Netblocks.
Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, duke nisur më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të madh të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më pas u përhapën në disa qytete të tjera.
Zyrtarët iranianë kanë akuzuar SjBA-në dhe Izraelin se qëndrojnë pas asaj që ata e përshkruajnë si “trazira të armatosura”, të cilat kanë kryer disa sulme në vende publike në mbarë vendin.
Presidenti i ShBA-së, Donald Trump, tha të martën se ShBA-ja është e përgatitur të ndërmarrë “veprime shumë të forta” nëse rezulton e saktë se Irani planifikon të ekzekutojë protestues.
Komentet e Trump erdhën pasi u pyet për deklaratat që kishte publikuar më herët në kompaninë e tij të mediave sociale, Truth Social, ku kishte shkruar: “Ndihma është në rrugë.”
“Po, ka shumë ndihmë në rrugë, dhe në forma të ndryshme, përfshirë ndihmë ekonomike… Ne e nxorëm Iranin jashtë loje sa i përket kapacitetit të tij bërthamor,” tha ai, duke iu referuar sulmeve amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane në qershor të vitit të kaluar.