Kosova do të marrë pjesë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 me delegacionin më të madh në historinë e saj në këtë ngjarje shumë-sportëshe.
Delegacioni kosovar do të përbëhet nga 163 sportistë, prej të cilëve 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte me synimin për ta përfaqësuar vendin sa më denjësisht.
Për herë të parë, Kosova do të ketë përfaqësim në katër sporte ekipore. Në Taranto 2026 do të garojnë ekipet e futbollit (meshkujt U21 dhe femrat U19), volejbollit (meshkujt dhe femrat), hendbollit (meshkujt dhe femrat) dhe basketbollit 3x3 (meshkujt dhe femrat).
Në dy edicionet e kaluara të Lojërave Mesdhetare, Kosova ka fituar gjithsej 10 medalje, nëntë prej tyre në xhudo dhe një në boks.
Lojërat Mesdhetare Taranto 2026 do të zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator 2026.
Një nga momentet më të rëndësishme të ceremonisë së mbylljes do të jetë dorëzimi i flamurit të Lojërave Mesdhetare Kosovës, e cila do të jetë vendi mikpritës i edicionit të ardhshëm të kësaj ngjarjeje shumësportëshe, Prishtina 2030.























