Piloti i Formula 1, shtatë herë kampion botëror, Lewis Hamilton, e dënoi gjenocidin e Izraelit në Gaza duke e cilësuar atë si “të tmerrshëm” dhe i bëri thirrje Izraelit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në enklavën palestineze, pas një vizite në pikën kufitare Rafah në Egjipt.
“Gjenocidi i Izraelit në Gaza gjatë tre viteve të fundit është i tmerrshëm”, shkroi piloti britanik në Instagram, duke kritikuar mohimin e lirisë, sigurisë dhe dinjitetit të palestinezëve.
“Asnjë qenie njerëzore nuk duhet të trajtohet sikur jeta e saj ka më pak vlerë” tha ai.
Të martën, Hamilton vizitoi anën egjiptiane të pikës kufitare Rafah dhe inspektoi depot e ndihmave të Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane në El Arish, ku u informua mbi përgatitjet dhe koordinimin për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza.
Gjatë vizitës së tij, piloti i Ferrarit tregoi se ka parë mure që shtrihen për kilometra të tëra, të ndërtuara për t’i mbajtur palestinezët të izoluar.
“Teksa qëndroja aty, jashtë asaj që dukej si një burg në qiell të hapur, e vetmja gjë që mendoja ishte si të hyja brenda për të ndihmuar”, shkroi ai.
Hamilton theksoi se kamionët me ushqime janë të rreshtuar dhe gati për të hyrë në Gaza, por shpesh pengohen të kalojnë ose përballen me vonesa të gjata.
“Shoferi i parë në radhë, me të cilin fola, qëndronte në pritje tashmë prej më shumë se 12 orësh” tha ai.
Në një qendër logjistike aty pranë, Hamilton vlerësoi përpjekjet e punonjësve të ndihmës, por tregoi gjithashtu se ka parë artikuj thelbësorë që janë refuzuar për arsye që ai i cilësoi si “të çmendura”.
Ai përmendi si artikuj të refuzuar: thasë për fjetje (në formën e jorganit të kampingut), kuti të ndihmës së parë, pajisje mjekësore, karroca invalidësh, madje edhe topa futbolli të destinuar për fëmijët.
“Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit dhe të lejojë hyrjen e kamionëve me ndihma. Nuk ka justifikime” deklaroi ai.
Hamilton u bëri thirrje gjithashtu njerëzve që të vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje vuajtjeve të palestinezëve dhe ta shndërrojnë ndjenjën e pafuqisë në veprim.
“E di që shumë njerëz e ndiejnë të njëjtën pafuqi. Atë dëshirë për të bërë diçka, në vend që thjesht të qëndrojnë e të shikojnë” shkroi ai.
“Nuk dua që ne të mësohemi me vuajtjet e tyre. Nuk dua që ne të kthejmë kokën në anën tjetër” shtoi Hamilton.























