Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, zhvilloi herët të dielën një telekonferencë me presidentin amerikan Donald Trump dhe liderët rajonalë për Iranin dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.
Në takim morën pjesë gjithashtu mbreti i Bahrejnit Hamad bin Isa Al Khalifa, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, princi i kurorës së Arabisë Saudite Mohammed bin Salman, mbreti i Jordanisë Abdullah II, shefi i ushtrisë së Pakistanit Asim Munir dhe anëtarë të kabinetit amerikan.
Takimi u zhvillua pasi Trumpı njoftoi se një marrëveshje me Iranin për t’i dhënë fund luftës mes dy vendeve “është negociuar kryesisht dhe pret finalizimin”.
Erdoğan mirëpriti faktin që procesi diplomatik me Iranin ka arritur nivelin e përshkruar nga Trump.
Duke vlerësuar vendet që kanë kontribuar në negociata, Erdoğan tha se çdo marrëveshje me Iranin që garanton kalimin e lirë nëpër Ngushticën e Hormuzit do ta mbështeste stabilitetin në rajon.
Ai ritheksoi se Ankaraja do ta ofrojë gjithë mbështetjen e nevojshme për zbatimin e çdo marrëveshjeje të mundshme me Teheranin.
Türkiye synon një epokë të re në të cilën vendet e rajonit nuk përbëjnë kërcënim për njëra-tjetrën, tha Erdoğan, duke theksuar se “një paqe e drejtë nuk do të kishte humbës”.
Sipas tij, Türkiye gjithmonë ka mbështetur zgjidhjen e problemeve përmes dialogut dhe diplomacisë.
Ai shtoi se Türkiye po punon për vendosjen e paqes në rajon dhe beson se me kalimin e kohës mund të gjenden zgjidhje të përshtatshme edhe për çështje që duken të vështira, përfshirë dosjen bërthamore iraniane.
ShBA-ja dhe Irani kanë negociuar propozime dhe kundërpropozime përmes Islamabadit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe për adresimin e shqetësimeve lidhur me programin bërthamor të Teheranit dhe kërkesën e tij për lehtësimin e sanksioneve.
Trumpi deklaroi të hënën se ShBA-ja shtyu rifillimin e sulmeve ndaj Iranit pas kërkesave të liderëve të vendeve të Gjirit dhe se negociata serioze ishin në zhvillim.



















