| Albanian
BOTA
5 minuta leximi
Sulmet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi po pengojnë furnizimet globale me drithëra
Sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj njëra-tjetrës, që godasin portet, infrastrukturën portuale dhe anijet, po ngjallin shqetësim për sigurinë globale të furnizimit me ushqim.
Sulmet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi po pengojnë furnizimet globale me drithëra
Sulmet ruse dhe ukrainase në Detin e Zi po pengojnë furnizimet globale me drithëra

Sulmet gjithnjë e më intensive ndaj porteve, terminaleve të drithërave dhe anijeve tregtare në Detin e Zi dhe në Detin e Azovit po pengojnë eksportet ruse dhe ukrainase të drithërave, duke ngjallur shqetësim për sigurinë globale të furnizimit me ushqim.

Rusia është eksportuesi më i madh i grurit në botë, ndërsa Ukraina njihet si "hambari i Evropës". Sulmet e ndërsjella mes dy vendeve po rëndojnë edhe më shumë transportin detar në rajon, pikërisht gjatë sezonit të vjeljes.

Pritet që prodhimi i drithërave dhe farave të vajit në Ukrainë të rritet nga 80 milionë tonë metrikë vitin e kaluar në 81 milionë tonë këtë vit, ndërsa produktet bujqësore përbëjnë rreth 60 për qind të totalit të eksporteve të vendit.

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi se tregjet globale bujqësore po ndiejnë tashmë pasojat e këtyre sulmeve dhe bënë thirrje për përpjekje që të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i tensioneve.

Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara paralajmëroi se furnizimet ukrainase me drithëra mund të pengohen edhe më tej nëse sulmet ndaj rrugëve detare vazhdojnë, gjë që do të përkeqësonte edhe më shumë pasigurinë globale në furnizimin me ushqim.

Sipas të dhënave të ministrisë së Infrastrukturës të Ukrainës, muajin e kaluar u kryen 35 sulme ndaj anijeve në porte, 22 sulme ndaj anijeve në det të hapur dhe 67 sulme ndaj infrastrukturës portuale, ndërsa vitin e kaluar anijet në portet ukrainase ishin shënjestruar gjithsej 14 herë.

Sulmet gjithnjë e më të shpeshta ruse ndaj porteve dhe infrastrukturës përreth në rajonin e Odesës po godasin rrugën kryesore nëpërmjet së cilës eksportohen produktet bujqësore ukrainase, duke qenë se mbi 90 për qind e eksporteve kalojnë përmes porteve të Odesës dhe zonave përreth.

Portet e Odesës, Çornomorskut dhe Juzhnyt kanë regjistruar një ndalim thuajse të plotë të trafikut tregtar që nga gjysma e dytë e korrikut, për shkak të rreziqeve të shtuara të sigurisë.

Ministri ukrainas i Politikave Agrare dhe Ushqimit, Taras Vysotskyi tha se kompanitë e transportit detar kanë ndaluar përkohësisht, që nga 22 korriku, dërgimin e anijeve në portet ukrainase të Detit të Zi për ngarkimin e produkteve bujqësore, ndërsa rrugët alternative të eksportit nuk pritet të arrijnë kapacitetin e plotë para fundit të gushtit.

Ministri theksoi se rrugët tokësore dhe lumore, edhe në kapacitet të plotë, nuk mund të zëvendësojnë as gjysmën e sasisë së mallrave që zakonisht eksportohen përmes porteve të Detit të Zi.

Kompania daneze e transportit detar Maersk ka ndërprerë përkohësisht shërbimin e saj "feeder" përmes portit të Çornomorskut, duke e ridrejtuar ngarkesën drejt portit rumun të Kostancës, ndërsa rezervimet ekzistuese për eksport mund të anulohen ose të zhvendosen për t'u ngarkuar në Kostancë.

Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se objektivat e goditura në sulmet ndaj porteve dhe anijeve ukrainase janë përdorur për qëllime ushtarake, ndërsa Kievi thotë se një pjesë e konsiderueshme e objekteve dhe anijeve të goditura shërbenin për tregtinë civile dhe eksportin e produkteve bujqësore.

Edhe Ukraina ka intensifikuar sulmet me dronë ndaj porteve ruse, terminaleve të drithërave dhe anijeve tregtare përgjatë brigjeve të Detit të Zi dhe Detit të Azovit.

Sipas raportimeve, janë sulmuar terminalet e mëdha ruse të eksportit të drithërave në portin Taman, ndërsa disa terminale në bregdetin e Detit të Zi, për shkak të rreziqeve të sigurisë, kanë kufizuar pranimin e drithërave përmes transportit tokësor.

Funksionimin e portit të Tamanit e kanë ndikuar edhe kufizimet e lundrimit në Detin e Azovit, të vendosura më 10 korrik.

Eksporti i drithërave vazhdon të kryhet përmes porteve të Novorosijskut dhe Tuapsesë, por ritmi i ngarkimit është ngadalësuar për shkak të masave dhe kufizimeve të sigurisë.

Organizata jofitimprurëse Rusgrain Union ka paralajmëruar se sulmet ndaj anijeve tregtare dhe infrastrukturës portuale po rrezikojnë lundrimin në Detin e Zi dhe se koridoret e eksportit mund të mbyllen nëse këto kushte vazhdojnë.

Si Moska ashtu edhe Kievi hedhin poshtë akuzat e ndërsjella për goditjen e anijeve civile dhe infrastrukturës portuale, duke pretenduar se sulmojnë vetëm objektiva të lidhura me aktivitete ushtarake.

Nisma për eksportin e drithërave përmes Detit të Zi u nënshkrua në Istanbul në korrik 2022, mes Türkiyes, Rusisë, Ukrainës dhe OKB-së, me qëllim parandalimin e një krize të mundshme ushqimore globale.

Përderisa koridori i drithërave në Detin e Zi ishte i hapur, mbi 1.000 anije dërguan rreth 33 milionë tonë metrikë drithëra në tregjet botërore dhe për nevoja humanitare, duke shmangur kështu një krizë të mundshme ushqimore globale.

Koridori mundësoi eksportin e drithërave ukrainase drejt tregjeve botërore dhe ndihmoi në lehtësimin e presionit mbi çmimet globale të ushqimit.

Pasi Rusia u tërhoq nga marrëveshja në korrik 2023, Ukraina krijoi një koridor alternativ detar përgjatë bregut perëndimor të Detit të Zi, pranë ujërave territoriale të Rumanisë dhe Bullgarisë. Megjithatë, intensifikimi i sulmeve ndaj porteve, anijeve dhe terminaleve të drithërave ka rritur pasigurinë lidhur me funksionimin e kësaj rruge dhe shpërndarjen e prodhimit të këtij viti, ndërsa disa kompani transporti detar kanë pezulluar operacionet e tyre.

Nëse tensionet në Detin e Zi dhe në Detin e Azovit vazhdojnë, ndërprerjet në furnizimet me drithëra mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve dhe të shkaktojnë probleme në furnizim, veçanërisht në vendet afrikane dhe të Lindjes së Mesme që varen nga importet nga ky rajon.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë