| Albanian
BOTA
2 minuta leximi
Lideri i opozitës izraelite: Marrëdhëniet e jashtme të Izraelit po përkeqësohen
Në një postim në X, Lapid vuri në dukje një sërë mosmarrëveshjesh diplomatike të kohëve të fundit që përfshijnë zyrtarë të lartë izraelitë dhe partnerë ndërkombëtarë.
Lideri i opozitës izraelite: Marrëdhëniet e jashtme të Izraelit po përkeqësohen
Lideri i opozitës izraelite: Marrëdhëniet e jashtme të Izraelit po përkeqësohen

Udhëheqësi i opozitës izraelite dhe ish-kryeministri Yair Lapid kritikoi sot qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu, duke paralajmëruar se marrëdhëniet ndërkombëtare të Izraelit po përkeqësohen pas tensioneve në rritje me aleatët kryesorë, transmeton Anadolu.

Në një postim në X, Lapid vuri në dukje një sërë mosmarrëveshjesh diplomatike të kohëve të fundit që përfshijnë zyrtarë të lartë izraelitë dhe partnerë ndërkombëtarë.

"Gjatë ditës së kaluar, zëvendëspresidenti i ShBA-së u zemërua në një konferencë për media me Smotrich dhe Ben Gvir. Ministri i Jashtëm Sa'ar ndërpreu lidhjet me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian ndërsa presidenti Trump tha se Netanyahu po tregon papërgjegjësi në Liban", shkroi Lapid.

"Nëse nuk e zëvendësojmë shpejt këtë qeveri, marrëdhëniet e jashtme të Izraelit do të zhduken", shtoi ai.

Vërejtjet e Lapidit erdhën mes debatit në rritje në Izrael mbi trajtimin e marrëdhënieve nga qeveria me Uashingtonin dhe partnerët evropianë pas nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes ShBA-së dhe Iranit që synonte t'i jepte fund konfliktit rajonal.

Zëvendëspresidenti i ShBA-së, JD Vance të enjten hodhi poshtë me forcë kritikat nga zyrtarët izraelitë për marrëveshjen, duke thënë se disa kishin "sulmuar shumë personalisht presidentin e ShBA-së".

Presidenti francez Emmanuel Macron tha gjithashtu se presidenti amerikan Donald Trumpi kishte të drejtë që i kërkoi Netanyahut të "tregonte një ndjenjë përgjegjësie", ndërsa kritikoi strategjinë ushtarake të Izraelit në Liban, Gaza dhe Bregun Perëndimor të pushtuar.

Komentet pasqyrojnë presionin diplomatik në rritje mbi Izraelin ndërsa përpjekjet vazhdojnë për të zbatuar marrëveshjen mes ShBA-së dhe Iranit dhe për të siguruar një armëpushim më të gjerë rajonal.

BURIMI:TRT Balkan dhe Agjencitë