Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan, u takua të mërkurën me homologun e tij grek, Giorgos Gerapetritis, në Sofje, në margjinat e Samitit të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP).
Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme turke, takimi u zhvillua në kuadër të samitit në kryeqytetin bullgar.
Burime diplomatike thanë se dy ministrat diskutuan marrëdhëniet Türkiye-Greqi dhe bashkëpunimin rajonal.
Shefi i diplomacisë turke u takua gjithashtu me Denis Beqiroviqin, kryetar i Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe anëtar boshnjak i Presidencës, në margjinat e samitit.
Fidani deklaroi se projektligji për juridiksionin detar, i cili aktualisht ndodhet në agjendën e parlamentit turk, është çështje e legjislacionit të brendshëm, duke theksuar se Türkiye respekton të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Ai tha se Türkiye pret të njëjtin nivel respekti nga të gjithë fqinjët e saj dhe i cilësoi si për të ardhur keq deklaratat e bëra nga disa qarqe mbi bazën e informacionit të paplotë lidhur me projektligjin.
Fidani paralajmëroi se deklarata të tilla mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe bëri thirrje për një qasje më të përgjegjshme.
Duke theksuar se Mesdheu Lindor duhet të jetë një zonë bashkëpunimi dhe jo tensioni, ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e shmangies së hapave që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal ose të jenë të drejtuar kundër Türkiyes.




















