Türkiye dënoi ndërhyrjen e Izraelit kundër Flotiljes Globale "Sumud" të nisur drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare, duke e përshkruar atë si "një akt të ri piraterie".
Në një deklaratë, Ministria e Jashtme turke tha se forcat izraelite ndërhynë kundër flotiljes, e cila po transportonte ndihmë humanitare për Gazën.
"Ne dënojmë ndërhyrjen e kryer nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare kundër Flotiljes Globale 'Sumud', e cila u formua për të dërguar ndihmë humanitare në Gaza dhe që përbën një akt të ri piraterie", thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ministria theksoi se në bord të flotiljes ndodheshin qytetarë nga afro 40 vende dhe tha se "sulmet dhe politikat e frikësimit" të Izraelit nuk do ta pengojnë solidaritetin ndërkombëtar me popullin palestinez.
Ajo i bëri thirrje Izraelit që menjëherë të ndalojë ndërhyrjen dhe të lirojë pa kushte pjesëmarrësit e ndaluar.
Ministria po ashtu tha se autoritetet turke po ndërmarrin hapat e nevojshëm për të siguruar kthimin e sigurt të qytetarëve turq në bord të flotiljes dhe se po ndjekin nga afër zhvillimet në koordinim me vendet e tjera.
Ushtria izraelite të hënën sulmoi flotiljen humanitare Globale "Sumud" të nisur drejt Gazës në ujërat ndërkombëtare. Transmetimet e drejtpërdrejta nga flotilja treguan forcat detare izraelite duke ndaluar anijet një nga një.
E përditshmja izraelite "Yedioth Ahronoth" raportoi se aktivistët e ndaluar në bord të flotiljes po transferoheshin në një anije të marinës të përshkruar si "burg lundrues" përpara se të dërgoheshin në portin Ashdod.
Flotilja e ndihmës Globale "Sumud" kërkoi "kalim të sigurt" për misionin e saj humanitar drejt Rripit të Gazës, duke akuzuar Izraelin për kryerje të "akteve të paligjshme të piraterisë".
Në një deklaratë, flotilja tha se forcat izraelite sulmuan të parën nga anijet e saj "në mes të ditës" në ujërat ndërkombëtare ndërsa anijet ushtarake ndalonin flotën.
"Ne kërkojmë kalim të sigurt për misionin tonë humanitar ligjor dhe paqësor", thuhet në deklaratë.





















